Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka shpalosur të gjeturat e raportit mbi monitorimin e punës së Universitetit të Prishtinës.
Në tri fakultete që kanë qenë pjesë e monitorimit të ORCA-s, janë gjetur mungesa të theksueshme të profesorëve në ligjërata, provime si dhe konsultime, raporton Ekonomia Online.
Aurela Kadriu, monitoruese nga ORCA, ka thënë se në Fakultetin Filozofik 31 profesorë të monitoruar gjatë orarit ë konsultimeve, 18 prej tyre kanë munguar në të gjitha terminët e konsultimeve.
“Në 314 ligjëratat e monitoruara, 77 nuk janë mbajtur fare. Në 20 provime të monitoruara 1 nuk është mbajtur 5 prej tyre janë mbajtur nga asistentët ose profesorë jo të lëndës”, ka thënë ajo.
Dibran Hoxha, monitorues nga ORCA në Fakultetin Ekonomik, tha se shifrat e dala nga monitorimi janë shqetësuese.
“Shifrat janë shqetësuese sepse nga 40 profesorë të monitoruar 10 prej tyre kanë munguar në të gjitha terminet. Sa i përket ligjëratave të monitoruara prej 627, 77 prej të cilave nuk janë mbajtur. Në fakultetin ekonomik si parregullsi shihet se ligjëratat mbahen nga asistentët dhe jo nga profesorët.
Dardan Konjufca, monitorues nga ORCA në Fakultetin Juridik, tha se janë paraparë të monitorohen 37 profesorë, por janë monitoruar 15 prej tyre, ku 6 prej tyre kanë munguar në të gjitha oraret e konsultimeve.
Ai bëri të ditur se Prej 236 ligjëratave të monitoruara 64 prej tyre nuk janë mbajtur fare.