Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Sofjes, Anton Pançev, përmes një postimi në profilin e tij personal në Facebook ka kritikuar mediat kosovare duke e demantuar lajmin e përhapur se Bullgaria po bëhet gati ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, këto mesazhe janë tepër absurde dhe manipulative, raporton Ekonomia Online.
“Në disa portale kosovare vërejta tituj, sipas të cilëve Bullgaria gjoja do ta tërhiqte njohjen e pavarësisë së Kosovës?! Këto mesazhe janë tepër absurde dhe manipulative! Bullgaria e përkrah pavarësinë e Kosovë në mënyrë absolute! Në këta artikuj bëhet fjalë për Samitin e BE-së me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet në Sofje më 17 maj. Faktikisht, disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka mosmarrëveshje rreth përfaqësimit të Kosovës në këtë takim për shkak të qëndrimit të Spanjës. Pala bullgare punon në favor të Kosovës që të ketë zgjidhje pozitive”, thuhet në postimin e profesorit Pançev.