Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve vazhdon të jetë fenomen shqetësues.
Megjithatë, Kosova ka shënuar progres në këtë drejtim, pasi nga vendi i njëmbëdhjetë sa kishte dalë para shtatë vjetësh, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në konsumin e përgjithshëm të antibiotikëve, ka kaluar në vendin e nëntëmbëdhjetë.
Antibiotikët në Kosovë vazhdojnë të shiten pa recetë të mjekut. A duhet lejuar një formë të tillë të përdorimit të antibiotikëve?
Raka: Jo, nuk duhet lejuar pasi që njëkohësisht është e ndaluar edhe me ligj shitja e antibiotikëve pa recetë, por që fatkeqësisht kjo praktikë vazhdon në Kosovë, përkundër përpjekjeve që janë bërë, por që kanë rezultuar pa sukses. Kjo mendoj se është një prej dështimeve kryesore në adresimin e përdorimin e antibiotikëve dhe rezistencës së antibiotikëve në Kosovë. Me një vullnet më të madh politik dhe me një qasje më rigoroze ndaj farmacistëve kjo gjë do rregullohej shumë shpejtë. Kjo është edhe një prej pikave dhe vërejtjeve që është bërë në raportin e progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Kosova zë vendin e parë në Evropë, kur bëhet fjalë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh). Pse ndodhë kjo, a po keqkuptohet përdorimi i antibiotikut?
Raka: Gjatë kësaj jave është javë botërore e vetëdijësimit për antibiotikë. Para dy ditësh janë publikuar të dhënat e fundit të antibiotikëve të Organizatës Botërore rë Shëndetësisë për konsumin e antibiotikëve në nivel global. Ne që nga viti 2011 i kemi mbledhur të dhënat e deri më sot. Në 2011 në Evropë kemi qenë në vendin e 11-të në konsumin e përgjithshëm të antiibiotikëve me 26.2 përqind vlerë e standardit sipas konsumit për kokë banori. Rezultatet e dy ditëve më parë kanë dëshmuar se ka ulje me 30 për qind, pra ka rënë në 20.8 përqind të konsumit total të antibiotikëve.
Kjo flet se nga vendi i 11-të ka kaluar në vendin e 19-të. Ka përmirësim dhe kjo ndërlidhet me shumë faktorë, por mendoj se vetëdijësimi është një prej faktorëve e që ka qenë proces afatgjatë, por ka rezultuar me sukses. Gjithashtu, roli i medieve ka qenë i madh dhe ka ndikuar edhe tek mjekët që të mos përshkruhet antibiotiku pa nevojë.
Në anën tjetër, fatkeqësisht për një lloj antibiotiku ceft-reaksion kemi qenë kampion në Evropë dhe vazhdojmë të jemi. Por, besoj se këtë problem do ta adresojmë me planin e ri të veprimit e që do të nënshkruhet besoj shumë shpejtë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë i cili do ta diciplinojë këtë fushë ose këtë përshkrim të panevojshëm të cef-reaksionit dhe do të zvogëlohet përdorimi.
Për çka përshkruhet zakonisht lloji i antibiotikut ceft- reaksion?
Raka: Ceft- reaksioni është një prej antibiotikëve më të popullarizuar e që është dashur të ruhet për përdorim nëpër spitale. Por në bazë të hulumtimeve ka dalë se përpos spitaleve e që aty është e nevojshme, ky antibiotik është nga më të përshkruarit në kujdesin parësor. Kjo është e patolerueshme. Ka keqpërdorim, dhe kjo vjen si rezultat i mjekut dhe presioni i kompanive farmaceutike, por në anën tjetër nga shteti është mungesa e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike që nuk janë zyrtarizuar dhe mungojnë në tavolinat e mjekut.
Kosova ka ligj që e ndalon shitjen e antibiotikut pa recetë.Pse nuk po zbatohet ligji?
Raka: Kosova ka udhëzim administrativ i cili është miratuar në vitin 2010, por nuk zbatohet, dhe ky është problem që me vullnet politik nuk do duhej të ishte në rend dite si problem. Si të shitet antibiotiku pa recetë?
Është adresuar si problem në Ministrinë e Shëndetësisë, është përgatitur një draft i restrikcionit të përdorimit të antibiotikëve dhe është në Ministrinë e Shëndetësisë dhe është futur në planin e ri të veprimit që në momentin e miratimit nga ana e Ministrisë dhe nga Qeveria e Kosovës, fuqizohet ky restrikcion dhe do të rregullohet. Nuk është një problem i pazgjidhur, sepse përgjegjësit janë të caktuara, vetëm ka munguar vullneti politik.
Nëse vazhdohet trendi i përdorimit të antibiotikëve si deri tani, çka do të ndodhë me njerëzit?
Raka: Para dy vitesh, një hulumtim i bërë nga ekspertë të OBSH-së ka nxjerrë përfundimin se nësë njerëzit vazhdojnë ta keqpërdorin antibiotikun sikurse është duke ndodhur sot në gjithë botën, në vitin 2050 , ashtu është parashikimi, më shumë njerëz do të vdesin nga infeksionet me mikrobe rezistente sesa që do të vdesin nga kanceri në botë. Sot nga kanceri vdesin 8.2 milionë njerëz në vit sipas statistikave të OBSH-së dhe nëse vazhdohet me këtë trend të keqpërdorimit atëherë njerëzit do të vdesin nga infeksionet banale sepse nuk do të ketë me cka të mjekohet një infeksion i thjeshtë i cili më pas jep komplikime e edhe vdekje.
A e ka marrë parasysh Ministria e Shëndetësisë këtë problematikë meqë kjo është diskutuar edhe në nivel global.
Raka: Ministria e Shëndetësisë e ka adresuar këtë problem që disa vjet me radhë, për dallim prej disa shteteve të rajonit që rezistencën dhe keqpërdorimin me antibiotikë e kanë neglizhuar dhe sot Serbia, Bosnja, Shqipëria nuk e kanë adresuar, dhe si rrjedhojë këto shtete situatën e kanë më keq se para shtatë vjetësh në mungesë të planit strategjik.
Ndërkaq, Kosova e ka adresuar problemin dhe në rrethanat që i kemi pasur si buxhetore , rezultatet duhet të jenë të kënaqshme. Mendoj se me një qasje më pro-aktive do të ishte edhe më e mirë.
Sipas rezultateve që janë publikuar tash, Serbia është në vendin e tretë në Evropë për përdorim të përgjithshëm të antibiotikëve, derisa vendin e parë e ka Turqia dhe të dytin Greqia. Ndërkaq Kosova ka dalë në vendin e nëntëmbëdhjetë.