Kjo nismë tradicionale, që daton prej vitit 2002, synon përkrahjen dhe stimulimin e ideve inovative të artistëve të rinj në punën e tyre përmes garës dhe ekspozimit.
Galeria Kombëtare e Kosovës me projektin konceptual të titulluar “AR 2016” nga 6 prilli deri më 25 prill do të ketë paraqitje në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, ku do të ekspozohen disa vepra të pesë autorëve finalistë kosovar të edicionit të vitit 2016.
“AR 2016” konsiderohet si projekti më i mirë i realizuar në Kosovë deri më tani në fushën e artit konceptual bashkëkohor. Kjo nismë tradicionale, që daton prej vitit 2002, synon përkrahjen dhe stimulimin e ideve inovative të artistëve të rinj në punën e tyre përmes garës dhe ekspozimit.
Paralajmërimi për paraqitjen e këtij projekti në Shkup u realizua në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë, ku dhe do të ekspozohen veprat e autorëve nga Kosova. Ekspozimi i veprave dhe promovimi i projektit “AR 2016” në Shkup realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e kulturës mes galerive të të dy vendeve.
Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, theksoi se stimulimi i artistëve të rinj për krijim është shumë i rëndësishëm, pasi që sipas saj, kushtet për zhvillimin e tyre në këto dy vende fqinjësore nuk janë të volitshme. Ajo shtoi se projektet e këtilla kontribuojnë në përvojën e artistëve të rinj që të marrin pjesë në gara ndërkombëtare dhe të zhvillojnë profilin e tyre.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona është i rëndësishëm, sepse ne jemi dy vende të afërta edhe gjeografikisht, por edhe me histori të përbashkët. Shkëmbimet e këtilla kulturore e ndihmojnë njohjen dhe rinjohjen mes dy vendeve tona”, u shpreh Agani.
Sipas kuratorit të projektit, Mehmet Behluli, shkëmbimi kulturor mes galerive të të dy vendeve kontribuon në thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës mes dy vendeve fqinje.
Ndryshe, ndër pesë finalistët që do të ekspozojnë punën e tyre në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, fitues i çmimit “Artistët e Rinj” të edicionit të vitit 2016 është Agron Blakçori, me veprën instalacion “Pa titull”.