Zvarritet prej më shumë se pesë vjetësh projekti për rregullimin e hapësirës së rekreacionit “Te pishat” në Shtime.
Për këtë projekt Komuna ka shpenzuar gjithsej 112 mijë euro, mirëpo për shkak të mungesës së buxhetit ai nuk ka vazhduar më tej.
Ndërkohë që sivjet Komuna ka planifikuar të investojë nëse krijohen të hyra vetjake nga taksat e qytetarëve.
Derisa ky lokacion ka një sipërfaqe prej 12 hektarësh, Komuna e Shtimes prej disa vjetësh ka kërkuar mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorë të huaj, mirëpo deri tashti nuk ka gjetur ndonjë përkrahje financiare.
Shqipe Rexhaj, drejtoreshë e Planifikimit Urban, Kadastër e Gjeodezi e Shtimes, ka njoftuar se deri tashti nuk kanë arritur të gjenin donatorë të ndryshëm për investime madhore “Te pishat” e qytetit, megjithëse projektin ideor e ka përgatitur një staf profesional, i cili parasheh ndërtim sallash sportive, kënde për fëmijë, amfiteatër, shtigje për çiklistë, shtigje për këmbësorë, ndriçim publik, pushimore, restorante etj.