Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt ceremonia e ndarjes së granteve për pesë organizata në Kosovë, të cilat ndihmojnë viktimat ekzistuese dhe potenciale të trafikimit. Grantet janë ndarë në kuadër të projektit të BE-së: “Të lëvizim përpara: Promovimi i Efikasitetit dhe Efektivitetit më të madh në Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Kosovë”.
Në këtë ceremoni morën pjesë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, përfaqësues të sekretariatit të strategjive të MPB-së, si dhe përfaqësues të organizatave që merren me viktimat e ekzistuese dhe potenciale të trafikimit.
Me këtë rast zëvendësministri Shkodra inkurajoni përfaqësuesit e organizatave të vazhdojnë me punën në kuadër të misionit shumë human dhe të vazhdojnë në realizimin e aktiviteteve që dalin nga Strategjia Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Qëllimi i përgjithshëm i thirrjes për propozime ishte të rrisë gamën dhe cilësinë e kujdesit social dhe shërbimeve të mbrojtjes për viktimat e trafikimit në mënyrë të qëndrueshme, me theks në përfshirjen sociale dhe ri-integrimin e tyre. Janë përzgjedhur 5 organizata fituese, të cilat do të zbatojnë aktivitete ndihmuese dhe parandaluese për viktimat ekzistuese dhe potenciale të trafikimit në tërë Kosovën. Organizatat fituese janë “Artpolis”, “Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave”, “HopesandHomesforChildren – Kosovë”, “OJQ Rrjeti Qeliza” dhe “Liria”.
Me shumë se 130 mijë euro janë ndarë për skemën e granteve për organizatat fituese,
i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga konsorciumi i udhëhequr nga KMOP Greqi.