Projektligji për Forcën e Sigurisë do të procedohet për votim para deputetëve. Kjo, pavarësisht kërkesës së presidentit Hashim Thaçi që të mos vihet në rend dite nisma e tij ligjore, nëpërmjet së cilës FSK-ja bëhet me mandat ushtrie, shkruan sot Koha Ditore.
Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e FSK-së ka debatuar rreth kësaj çështjeje, të martën, dhe ka vendosur që brenda pak kohësh ta shqyrtojë Projektligjin, dhe që atë ta përcjellë në seancë plenare për lexim të parë.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, është kryetar i këtij komisioni parlamentar. Ai e ka shtruar për diskutim çështjen e Projektligjit, edhe pse në mbledhjen e së martës, si temë, nuk figuronte në rend dite. Por, në pikën “të ndryshme”, i ka informuar anëtarët e Komisionit se Kryesia e Kuvendit e ka proceduar Projektligjin, për të cilin kolegët e tij janë pajtuar ta shqyrtojnë në mbledhjen e radhës.