Muaji shkurt do të jetë koha kur në komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të shqyrtohet projektligji për komisionerin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, raporton Ekonomia Online.
Zëvendëskryetari i parë i komisionit, Rexhep Selimi, tha se draft-ligji për komisionerin e Mbrojtjes dhe Sigurisë është proceduar më parë por është pritur në mungesë të ndryshimeve ligjore për FSK-në.
Selimi thotë se janë krijuar kushtet që të hartohet ky projektligj.
“Bëhet fjalë për draft ligjin komisionerin e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky është hartuar vite më herët me ndihmën e ish komsionerit gjerman Robe. Ai është tash i draftuar por pse nuk ka hy deri tash në procedim është thjeshtë në pritje të ndryshimit të msionit të FSK-së. Me që tash FSK tash ka misionin e saj ushtarak, besoj që tashmë janë kushtet e duhura që atë draft ligj ta procedojmë. Mendoj që tash miratimi i ligjeve për FSK i ka hapë rrugë për plotësim ndryshim edhe ligjeve ekzituese, por edhe procedimit të këtij draft ligji”, tha Selimi.
Komisioni teksa miratoi raportin e punës për vitin 2019, bëri të ditur se në korrik do të shqyrtojnë projektligjin për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës.
Por kjo kohë, për anëtarët e këtij komisioni është e vonë, sipas tyre, kjo çështje është duke u zvarritur tash e sa kohë.
Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se ky ligj është dashur të shqyrtohet më parë, sipas tij, afati i korrikut është i papërshtatshëm për ta sjellë këtë ligj, sepse është fundi i sesionit pranveror.
“Njëri prej ligjeve ishte dashtë me e shqyrtu këtë vit është edhe ligji për pensionimin e policisë, ky ligj është ardh vit pas viti dhe është shty vit pas viti, shpresoj që të mos jetë edhe këtë vit kështu. Ne e kemi kuptua për barrën financiare që i shkaktohet buxhetit, pasi që edhe ne përkujdesemi për buxhetin tonë. Mendoj që fati i korrikut është një afat i papërshtatshëm për ta sjellë ligjin për pensionimin e zyrtarëve policorë pasi që është fundi i sesionit pranveror, ose duhet ta sjellim para përfundimit të sesionit pranveror ose në sesionin vjeshtor”, tha Selimi.
Se korriku është afat i vonë e thotë edhe Xhelal Sveçla.
Deputeti i VV-së, pohon se zyrtarët policorë duhet të përkrahen nga komisioni, sipas tij, duke i mbështetur kërkesat e tyre, duke marrë parasysh rrezikshmërinë që policët e kanë në punë.
“Ne si komision përderisa po e mbikëqyrin dhe vlerësojmë që po gabojnë dhe kërkojmë masa ndaj zyrtarëve policorë, mendoj që është e rrugës, që edhe ti përkrahim në ato momente kur ata kanë të drejtë, dhe kërkoj si komision që ti mbështesim kërkesave të tyre dhe të ketë tendencë që rrezikshmërinë në punë me ia heqë fare, duke i cilësu si të parrezikuar, por është e kundërta nëse kemi veprimtari kriminale, brenda grupeve kriminale, qoftë institucioneve, ai që i heton ata është më i rrezikuari”, pohoi deputeti Sveçla.
Në komision u tha se edhe mbikëqyrja e projektligjit për Inspektoratin e Policisë së Kosovës, ai mund të bëhet më shpejtë.
Deputeti Xhelal Sveçla, propozoi që në muajin shkurt të bëhet një vizitë në pikat kufitare dhe në komisionin simotër të Shqipërisë.
“Mendoj që duhet ketë qysh në shkurt një vizitë në pikat kufitare, e kemi përmendë në vitin e kaluar dhe nuk e kemi realizu, një aktualitet i cili po na përcjellë por ne nuk jemi duke i ndenjur besnik nevojës për këto vizita. Ne kemi paraparë një vizitë në komisionin homolog të Maqedonisë, por nuk po shoh një vizitë në komisionin homolog të Shqipërisë, kështu që propozoj një vizitë qysh në muajin shkurt në komisionin homolog të Shqipërisë”, tha Sveçla.
Komisioni ngriti edhe çështjen e sigurinë kibernetike, duke e potencuar poashtu si vonë të merret me këtë temë në fund të këtij viti.