Projektligji për KPM-në – Qeveria thotë se rritet transparenca e pronësisë së mediave, opozita e sheh si tendencë për kontroll

Prishtinë | 07 Shk 2024 | 12:07 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Beslimi, ka deklaruar se projektligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) do të rrisë transparencën e pronësisë së mediave, ndërsa opozita e sheh si tendencë për t’i kontrolluar ato, raporton Ekonomia Online.

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të mërkurën u shqyrtua në parim projektligjin për KPM-në. Tani pritet të përcillet në Kuvend, mes shumë kritikave.

Bislimi tha se ky projektligj ka 60 nene dhe ka për qëllim t’i jap përgjegjësi KPM të mbikëqyrë dhe sigurojë transmetimin e programeve cilësore në dobi të interesit të përgjithshëm. I njëjti, tha se është në përputhje me direktivat evropiane.

“Pra, kushtet e njëjta për secilin ofrues të shërbimeve mediale kushte këto që caktohen nga një organ i pavarur kushtetues dhe larg nga çfarëdo ndikimi politik. Nga ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë televizionet, por edhe platformat me përmbajtje audio-vizuele te publiku, duke ndikuar në formimin e opinionit publik, e në veçanti tek gjeneratat e reja është e qartë se duhet të krijohen rregulla që mbrojnë të miturit dhe fëmijët, që sigurojnë menaxhim të standardizuar, që sigurojnë transparencë pronësore të mediave dhe më e rëndësishmja një datatabazë të mediave që operojnë në treg”, tha ai.

Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka rekomanduar që ky projektligj të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias.

“Kam disa vërejtje për të cilat nuk do të flas në grupe punuese. Mediat nuk janë të lira me këtë projektligj. Do të ketë mundësi që t’i cungohen disa liri dhe kësaj i vjen era diktaturë”, tha ai.

Por në kundërpërgjigje, Bislimi ka ironizuar duke thënë se “ose nuk qëndron ajo që nuk kemi transpozuar direktivën evropiane ose direktivat evropiane janë kundër lirisë së mediave”.

“Askush nuk e cungon të drejtën për të dhënë komente, por askush nuk jep siguri që komentet të jenë të sakta… një ekonomi që synon t’i përafrohet Komisionit Evropian synon formalitet e jo informalitet”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, duke iu referuar obligimit për regjistrim në KPM të mediave online që publikojnë video siç parashihet në projektligj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se ky projektligj po shihet si tendencë e Qeverisë për t’i kontrolluar mediat.

“E them me kompetencë që projektligj i përgatitur nga zyra e kryeministrit ka pasë mostransparencë të madhe sa i përket konsultimeve publike”, tha Tahiri.

Të ngjashme