Projektligji për pagat kundërshtohet edhe nga policia

Prishtinë | 18 Jan 2017 | 17:32 | Nga

Sindikata e Policisë së Kosovës përmes një komunikate për medie, shpreh hapur pakënaqësitë e anëtarëve të Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe të gjithë punonjësve të Policisë përkitazi me Projektligjin për pagat që ka aprovuar Qeveria e Republikës së Kosovës, e të cilin e ka dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në procedurë të mëtejme për shqyrtim dhe miratim.

E gjithë kjo ka për qëllim nivelizimin e pagave për punonjësit e Republikës së Kosovës që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Këshilli Drejtues dhe Kryesia Ekzekutive e Sindikatës së Policisë së Kosovës të autorizuar nga Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor i SPK-së si organ më i lartë dhe gjithë përfshirës i SPK fuqishëm kundërshtojnë këtë projekt ligj dhe kërkojnë që si i tillë të tërhiqet nga Parlamenti dhe që gjatë këtij viti të rishikohet në mënyrë studioze nëpër të gjitha dikasteret.

Gjatë rishikimit duhet të kyçen sindikatat, të cilat së bashku me punëdhënësit kanë për obligim paraprakisht të njoftojnë punonjësit për propozimet e mundshme përkitazi me ndryshimet eventuale në pagat e tyre dhe të marrin pajtimin e tyre, sepse kjo e drejtë është fundamentale, jetike, themelore dhe këtë të drejtë ua garantojnë konventat ndërkombëtare.

Pakënaqësitë janë shprehur veçmas nga shkaku sepse nuk janë marr për bazë fare propozimet e bëra në dokumentin e titulluar „Komentet e Policisë së Kosovës lidhur me Draft Ligjin për paga“, dokument në të cilin një periudhë kohore bukur të gjatë punoi komisioni i përbashkët i Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe i Menaxhmentit të Policisë së Kosovës.

Me këtë projekt ligj pagat e punonjësve të Policisë së Kosovës, duke filluar nga grada e zyrtarit policor të Policisë së Kosovës, si dhe në pjesën dërmuese të gradave tjera ka zbritje të pagave, me çka dukshëm dëmtohet mirëqenia e tyre.

Kjo është e papranueshme për Sindikatën e Policisë së Kosovës por edhe për të gjithë punonjësit e Policisë, andaj kërkojmë që Qeveria e Republikes së Kosovës ta tërheq të njëjtin.

Në të kundërtën Këshilli Drejtues dhe Kryesia Ekzekutive e Sindikatës të Policisë së Kosovës do të jenë të detyruara të ndërmarrin hapa tjerë në këtë drejtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme