Prokurorët holandezë të cilët po intervistojnë shtetasin turk, i dyshuar për të shtënat në një tramvaj në qytetin Utreht të Holandës, thanë se ende nuk kanë gjetur ndonjë ndërlidhje ndërmjet tij dhe viktimave.
Në deklaratën e prokurorisë më 19 mars, thuhet se ende në mënyrë serioze, po konsiderohet se ky ka qenë një sulm terrorist.
Sipas prokurorisë, arsye për këtë janë disa shënime që janë gjetur ne veturën e sulmuesit të dyshuar.
Policia arrestoi Gokmen Tanisin, shtetas turk, 37 vjeç, në lidhje me të shtënat.
Sipas prokurorisë, dy persona tjerë janë arrestuar dhe po merren në pyetje në lidhje me incidentin.
Autoritetet në Utreht e ulën nivelin e kërcënimit të terrorizmit pas arrestimit të të dyshuarit. Më herët, ai është rritur në shkallën më të lartë: pesë.