Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e Enver Sekiraqës, pasi lënia e tij në liri përbën rrezik për veprimtari kriminale dhe arratisje.
Kështu ka kërkuar prokurori i EULEX-it në rastin ndaj Enver Sekiraqës, gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, e cila po mbahet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Derisa ka arsyetuar kërkesën e tij për mbajtje në paraburgim të Enver Sekiraqës, prokurori i ka treguar trupit gjykues se në shtator të këtij viti Prokuroria e Shtetit i ka pranuar tri letra anonime, në të cilat thuhet se vazhdon ende veprimtaria e grupit kriminal të Sekiraqës.
Prokurori ka thënë se lënia në liri e të dënuarit Sekiraqa, do të mundësonte që ai të vazhdojë të kontrollojë veprimtarinë e grupit të tij kriminal si dhe do të paraqiste rrezik për arratisje.
Seanca po zhvillohet pasi javën e kaluar e njëjta gjykatë e liroi Sekiraqën në arrest shtëpiak, por e ktheu sërish në paraburgim pas një dite.
Sekiraqa është dënuar nga shkalla e parë, Gjykata Themelore me dënim unik prej 37 vitesh burg për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.