Në mëngjesin e sotëm në lagjen “Kalabria” në Prishtinë është gjetur trupi i pa jetë i regjisores Arzana Kraja.
Policia e Kosovës ka dhënë njoftimin për gjetjen e trupit të pajetë, ndërkohë nga Qendra Kinematografike e Kosovës, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Arzana Krajën.
Në vendin e ngjarjes tashmë ka dalë edhe Prokuroria e cila ka konstatuar se ka vdekur një grua.
Për Gazetën Express zyrtar nga Prokuroria kanë treguar se rasti po cilësohet si vdekje e dyshimtë, ndërkohë me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Prokuroria ka dalë në vend të ngjarjes është konstatuar se ka vdekur një grua. Po cilësohet si rast i dyshimtë trupi është dërguar për obduksion me urdhër te prokurorit”, kanë thënë nga Prokuroria për Express.
Ndërkohë konfirmimin për vdekjen e kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.
“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pajetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhej në përgjigjen e policisë.