Prokuroria e Mitrovicës ngre aktakuzë ndaj personit të vdekur para 13 vitesh

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë kundër Bedri Fazliut për veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale “, mirëpo i njëjti ka vdekur para 13 viteve, raporton Kallxo.com.

Sipas dokumentit të siguruar nga Kallxo.com kjo aktakuzë është ngritur me 25 prill të këtij viti, por nga dokumentet zyrtare, del se personi ndaj të cilit është ngritur aktakuza, ka vdekur në vitin 2005.

Përmes një shkrese të cilës i është bashkangjitur edhe certifikata e vdekjes policia e Kosovës ka njoftuar gjykatën themelore të Mitrovicës se Bedri Fazliu ka ndërruar jetë më 17 maj 2005.

Kurse aktakuza e ngarkon Fazliun se veprën penale e ka kryer në qershor të vitit 2017.

Derisa tek të dhënat personale të të akuzuarit të cekura në aktakuzën e prokurorisë së Mitrovicës shkruan vetëm se i akuzuar është Bedri Fazliu nga fshati Broboniq, Komuna e Mitrovicës, numri personal i tij dhe shtetësia, por nuk janë cekur detaje e tjera personale si vendi i lindjes, shkollimi, profesioni etj.

Ndërsa në kallëzimin penal kundër Bedri Fazliut ( tashmë i ndjerë ) e kishte bërë KEDS-i me 12 dhjetor 2017, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.

KEDS me 15 korrik 2017 kishte bërë një proceverbal për të konstatuar vjedhjen e rrymës ndërsa si konsumator kishin shënuar emrin e Bedri Fazliut, kishin cekur në fund të këtij procesverbali “pala prezent, refuzon”.

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka filluar procedurën gjyqësore kundër tani të ndjerit Bedri Fazliu, ndërsa përmes një urdhërese kishte kërkuar nga Policia e Kosovës, dorëzimin e ftesës dhe aktakuzën e Prokurorisë për Bedri Fazliun, për seancën e cila kishte qenë e caktuar të mbahet me 23 tetor.

Gjykata ishte njoftuar nga Stacioni Policor në jug të Mitrovicës, se pas shkuarjes në fshatin Broboniq, si adresë e cekur në aktakuzë, nga një fqinj aty janë njoftuar se Bedri Fazliu ka ndërruar jetë para disa vitesh kurse në shtëpinë e të akuzuarit nuk kishte qenë askush.

Policia më pas më 22 tetor të këtij viti kishte shkuar në gjendjen e zyrës civile në Mitorvicë ku edhe kishin marrë konfirmimin personi I akuzuar nga prokuroria themelore e Mitrovicës kishte vdekur me 15 maj 2005.

Kurse Bekim Veliqi gjyqtar i rastit pas këtyre informatave ka pushuar procedurën penale në këtë rast.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme