Prokuroria e Mitrovicës ka nisur mbledhjen e informatave për mënyrën dhe sa doza të vaksinës kanë hyrë në veri dhe përmes cilave rrugë kanë hyrë ato.
Kryeprokurori I Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla përmes telefonit ka konfirmuar për Kohën se ata fillimisht janë duke mbledhur informata dhe më pas do të shikojnë mundësinë e nisjes së hetimeve.
“Kemi filluar grumbullimin e informatave për me shiku se çfarë ka hyrë dhe nëse ka pasur autorizime për këto vaksina. Pastaj varësisht nga të gjeturat mund të nisin hetimet”, ka thënë Syla.
Sipas tij këtu dyshohet për veprat penale ofrim i ndihmës së paautorizuar mjekësore dhe kontrabandim i produkteve mjekësore.