Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur tri aktakuza ndaj katër personave për pesë vepra penale si në vijim: “Grabitje në tentativë”, “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së parë – i pandehuri S.M., si anëtar i grupit të armatosur, me kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër së bashku me të pandehurit B.B., dhe Z.B., tenton të përvetësojë pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që t’i sjell vetës apo personit tjetër dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që me datë 19.05.2018, rreth orës 22:25 min., me veturë shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit S.M., në fshatin Gjinoc – Komuna e Suharekës, i vendosin maskat në fytyrë dhe duke përdorur armë të shkurta dhe të gjata futen në korridorin e shtëpisë së të dëmtuarit dhe në momentin e ballafaqimit me të dëmtuarin, të njëjtin e kërcënojnë duke i’ a drejtuar armët, dhe gjatë përleshjes dhe rezistencës së të dëmtuarit shkrepin me armë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.
Në këtë mënyrë, në bashkëkryerje e kryejnë veprën penale “Grabitje në tentativë”, nga neni 329 paragrafi 3, e lidhur me nenin 28, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së dytë – i akuzuari S.K., pa autorizim, në vazhdimësi ka ofruar për shitje dhe shpërndarje substanca apo preparate (substanca psikotrope apo substanca analoge), të cilët janë shpallur me Ligj si narkotikë, në atë mënyrë që me datë 08.08.2018, te objekti i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, të paraburgosurve në brendi të objektit, u ka gjuajtur substanca narkotike të llojit “marihuan” të paketuara në qese najloni të mbështjella me gur, ku katër qese në peshë prej 38.49 gr., kanë mbetur në kulmin e ndërtesës.
Po ashtu, me datë 30.10.2018, rreth orës 08:00, për qëllim të njëjtë, në shtëpinë e dhëndrit L.GJ., në Prizren, saktësisht në një valixhe të zezë, të motrës së tij – (bashkëshortes së L.GJ.), nën dyshek të shtratit të dhomës së fjetjes i ka fshehur 9 (nëntë) paketime substancë narkotike të llojit “marihuan”. Në këtë mënyrë ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 1 të KPRK-së.
Në anën tjetër i akuzuari L.GJ., ka ndihmuar në fshehjen e provave, për çka ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerje të veprës penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 388 paragrafi 2 nënparagrafi 2.8 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës së tretë – i akuzuari D.B., personit tjetër i shkakton lëndim të rëndë trupor deri në atë masë që ka rezultuar me dëmtim të përkohshëm dhe serioz të shëndetit, ashtu që me datë 28.07.2018, rreth orës 22:46 min, në rrugë para dyerve të shtëpisë së tij, në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit, pas një incidenti lidhur me drejtimin e rrezikshëm të automjetit që kishte pasur më herët me vëllain e të dëmtuarit N.K., ky i fundit arrin me shpejtësi me automjet e pastaj po ashtu me shpejtësi zbret nga automjeti, shkon me vrull në drejtim të të akuzuarit, e pastaj i akuzuari me pistoletën e tipit “Sig Sauer” shkrep në drejtim të pjesës së poshtme të trupit të të dëmtuarit N.K., të cilin e godet nën gju të këmbës së majtë, të cilit i shkakton plagë tejshkuese dhe thyerje të shumëfishtë kockore. Në këtë mënyrë ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 me nënparagrafin 1.3 të KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri D.B., akuzohet edhe për veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzave, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.