Në 75 faqe raport për punën e vet gjashtëmujore Prokuroria e Shtetit ka dhënë fare pak detaje se si i kanë zgjidhur lëndët për këta gjashtë muaj.
Kanë thënë se i kanë zgjidhur 20,000 lëndë për 6 muaj, por nuk kanë treguar sa kallëzime penale janë hedhur poshtë, për sa për to janë nxjerrë aktvendime për hetime, të cilat kanë përfunduar me aktakuzë ose pushim hetimesh, shkruan KOHA.
Në vetëm një faqe është përmbledhur puna e Prokurorisë së Shtetit në krimet ekonomike e të korrupsionit. “Lëndë të zgjidhura”, sipas këtij raporti, janë rreth 29 mijë.
Megjithatë, raporti shpërfaq probleme të mëdha të sistemit të hetuesisë.
Në dokumentin ku flasin për “rezultatet e mëdha”, janë të dhënat edhe se çfarë lloj lëndësh janë zgjidhur.
Janë disa kategori kallëzimesh penale, që kryesisht mund të kategorizohen në kallëzime penale me persona të identifikuar që prokuroria e di kush janë, dhe kallëzime penale për persona NN – për të cilët prokuroria nuk i ka të identifikuar kryerësit e pretenduar të veprës penale.
Nga rreth 100 mijë lëndë që ka Prokuroria e Shtetit – në mbi gati 70 mijë nuk e di kush është kryerësi.
Në mungesë të informatave, lëndët mbyllen.
Këto të dhëna janë të paraqitura në faqen 22 të raportit.
“Kryerësve të panjohur të veprave penale (PPP), me 66,372 ose 62%; Kryerësve madhorë të veprave penale (PP), me 17,759 ose 16.6%; Lëndë të ndryshme penale (PPN/M), me 16,978 ose 15.87%; Kallëzimet penale të kryerësve të mitur (PPM), me 1,571 ose 1,46%; Lëndët penale të Prokurorisë së Apelit me 2,908 ose 2.71%; Lëndët e ZKPSH-së 516 ose me 0,48%; Lëndët e ndihmës juridike ndërkombëtare (NJN) 932 ose me 0,87%.”, thuhet në këtë raport.
Nga kjo del se vetëm 16 për qind e kallëzimeve penale janë për persona të rritur, identiteti i të cilëve dihet. Fare pak detaje janë dhënë për veprat penale të korrupsionit e krimit ekonomik. E se si janë zgjidhur nuk janë fare të dhënat.