Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar lidhur me rastin e datës 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar të mitur e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin), 18 vjeç, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.
Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit është njoftuar se viktima ka ndërruar jetë dhe me urdhër të njëjtit trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion.