Një ditë pas publikimit të raportit “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” dhe shfaqjes së dokumentarit me të njëjtën tematikë, autor i së cilës është instituti “Columbus”, Prokuroria e Shtetit është aktivizuar.
Prokurori i Zyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, përmes një email informues drejtuar Institutit “Columbus” ka sqaruar se me iniciativën e tij raporti është dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për hetim të mëtutjeshëm.
“Ju njoftoj se duke u bazuar në raportin “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike – Blerjet e barnave të listës esenciale shumëfish më shtrenjtë sesa çmimet në treg”, të cilin e keni publikuar dje, unë sot, me datë 30.05.2018, e kam dërguar të njëjtin raport në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kam kërkuar që të fillohet me grumbullimin e informatave për verifikimin e dyshimeve te ngritura”, thuhet në emailin e prokurorit Kelmendi.
Dje instituti “Columbus” ka prezantuar raportin, përmes të cilit ka faktuar që Ministria e Shëndetësisë ka abuzuar me buxhetin për blerjen e barnave të Listës Esenciale për spitale publike duke i blerë më shtrenjtë sesa çmimet reale nga 100 për qind deri në 2000 mijë për qind. Abuzimi me blerjen e barnave ka vlerë milionëshe dhe ka nisur të bëhet që nga fillimi i vitit 2016.
Instituti “Columbus” mirëpret gatishmërinë e Prokurorisë së Shtetit për të zbardhur dyshimet për keqpërdorimin e blerjeve të barnave të Listës Esenciale dhe pret nga ky institucion hetim të detajuar për këtë rast.
Instituti “Columbus” do të vazhdojë ta monitorojë blerjen e barnave përmes prokurimit publik, dhe veprimet që do të ndërmarrin institucionet e drejtësisë kur bëhet fjalë për dyshimet për keqpërdorime në këtë fushë.