Prokuroria ende s’ka nisur asnjë hetim për keqmenaxhim të parasë publike

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 11:06 | Nga

Janë me qindra shkelje ligjesh e keqpërdorime të parasë publike që u bënë nga institucionet e shtetit, e të cilat po vazhdojnë të publikohen si gjetje të Auditorit të Përgjithshëm.

Në pothuajse të gjitha institucionet që shfrytëzojnë paranë publike, auditori gjeti shkelje të ligjit gjatë prokurimit. Kompanitë e papërgjegjshme u shpërblyen me kontrata, ministrat paguanin këshilltarët nga linjat e tjera buxhetore, e miliona euro janë keqmenaxhuar, raporton KTV.

Keqpërdorim i veturave, pronës, subvencioneve, vendeve të punës… avancime të paligjshme, punësime me kontratë mbi vepër, mungesë e raportimeve të rregullta nga ambasadat, ishin disa nga konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm.

Pavarësisht se Auditori çdo vit gjen të njëjtat shkelje, institucionet shtetërore nuk morën për bazë rekomandimet, e si rrjedhojë as nuk u përmirësuan.

Kohavisioni, duke shfrytëzuar Ligjin për qasje në dokumente zyrtare, që nga data 20 qershor ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të na bëjë publike nëse kanë nisur procedurat e ndjekjes për ndonjë nga zyrtarët e këtyre institucioneve, ku janë gjetur këto shkelje.

Por, as sot kur kanë kaluar 13 ditë nga kërkesa zyrtare, KTV-ja nuk ka marrë përgjigjen e kërkuar.

Shoqëria Civile nuk shpreson që prokuroria të zbardhë të vërtetën për shkeljet ligjore, meqë kredibilitieti i saj lë shumë për të dëshiruar.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar Prokuroria i kishte hetuar raportet e komunave Prizren, Pejë dhe Gjilan, por në mungesë provash ka mbyllur hetimet.

Në anën tjetër, Zyra e Auditorit, ndonëse nuk ka dashur të prononcohet për KTV-në, vetëm nëpërmjet telefonit ka thënë se të gjitha raportet u janë dërguar entiteteve që kanë qenë subjekt i auditimit dhe se fjala e auditorit është dhënë nëpërmjet këtyre raporteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme