Prokuroria jep detaje për vrasjen e të miturit në Drenas, viktima tjetër po trajtohet në QKUK

drenas | 06 Pri 2021 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e mbrëmshme që ndodhi në Gradicë të Drenasit.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka bërë të ditur për Telegrafin, se rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ajo gjithashtu ka njoftuar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërkaq personi tjetër që ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në QKUK.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë më njësitë e tjera relevante. Rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë “ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë është dërguar për obduksion, ndërsa personi tjetër i plagosur është duke u trajtuar në QKUK.

Aktualisht ju njoftojmë se një person i dyshuar i përshirë në këtë rast është dorëzuar në polici, derisa Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Ulaj.

Ndërkaq policia përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se deri te vrasja ka ardhur pas një mosmarrëveshje ku dy të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet që me armë zjarri kanë qëlluar dy viktimat meshkuj kosovarë dhe si pasoj e plagëve të marra, viktima i mitur ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë.

“Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një veturë e llojit Golf 2 të cilat dyshohet që janë përdorur në rast. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ndërkaq ka konfirmuar sot se i dyshuari për rastin në fjalë është dorëzuar sot në polici.

“Sot rreth orës 08:30, është dorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit poashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rast. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme