Prokuroria kërkon dënimin e ish-deputetëve Shala dhe Kurteshi për gazin lotsjellës, mbrojtja lirimin e tyre

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Në fjalën përfundimtare, në gjykimin ndaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Elza Bajrami ka kërkuar nga gjykata dënimin e të akuzuarve, ndërsa mbrojtja lirimin e tyre.

Prokurorja Bajrami, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbetet pranë aktakuzës, si dhe nga vetë dhënia e mbrojtjes në gjykatë nga Kurteshi dhe dhënia e mbrojtjes në prokurori nga Shala, të cilët e kanë pranuar se kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.

Po ashtu, prokurorja tha se edhe nga provat tjera që janë administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë sipas aktakuzës.

E njëjta i ka propozuar gjykatës që të njëjtit të shpallë fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe në rastin e matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ndërsa, sa i përket veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1, e cila u vihet në barrë të akuzuarve Kurteshi dhe Shala, prokurorja Bajrami i ka propozuar gjykatës të marrë aktgjykim refuzues, për faktin se për këtë vepër ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Mbrojtësja e të akuzuarit Kurteshi, avokatja Teuta Zhinipotoku në fjalën e saj përfundimtare, ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor janë administruar provat e propozuara nga ana e prokurorisë, por jo të gjitha, sidomos pjesa ku palët e dëmtuara konsiderohen Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, pasi sipas saj të njëjtit nuk e kanë konsideruar vetën si palë të dëmtuara.

E njëjta ka thënë se si mbrojte konsiderojnë se aktakuza është ngrit në mungesë të provave si dhe e njëjta ka dështuar që gjykatës t’i paraqes prova për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i saj.

Sipas saj, provat që janë të bashkëngjitura në aktakuzë gjykata mos t’i marrë si prova të pranueshme, sepse të njëjtat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, ajo ka thënë se në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, në ekspertizën e përpiluar në atë çështje gjyqësore, është vërtetuar se gazi lotsjellës nuk paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut.

Andaj, avokatja Zhinipotoku i ka propozuar gjykatës se të mbrojturin e saj Kurteshi, ta lirojë nga aktakuza sepse nuk ka prova që do ta vërtetonin se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

I akuzuari Ismajl Kurteshi ka deklaruar se e mbështet fjalën përfundimtare të avokates Zhinipotoku dhe ka shtuar se as ai dhe as ata që po e akuzojnë, nuk kanë bërë analizë të gazit, të cilin e ka hedhur ka qenë gaz lotsjellës.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Naser Sopjani fjalën e tij përfundimtare e ka parashtruar me shkrim, mirëpo të njëjtën e elaboroi në pika të shkurtra.

Sipas tij, në bazë të ligjit për të nxjerrë vendim gjyqësor, faktet dhe provat duhet ta kenë peshën ku do ta vërtetojnë faktin se në rastin konkret Shala ka kryer veprën penale, provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, incizimi në të cilin prokuroria pretendon se Shala e ka përdorur gazin lotsjellës, ku i njëjti nuk shihet se ka hedhur gaz lotsjellës nga vendi ku ka qenë i ulur e as ndonjë veprim konkret inkriminues.

Në mënyrë hipotetike ai tha se nëse do ishte parë Shala duke hedhur ndonjë gaz, asnjë ekzaminim nga ndonjë ekspert i fushës nuk është bërë, se a ka pas gaz, ai gaz a ka qenë gaz lotsjellës, përmbajtja e tij a ka qenë bazë formulave kimike dhe se i njëjti ka qenë i rrezikshëm përshëndetin dhe jetën e njerëzve.

Sipas tij, ende nuk mund të kuptohet se a akuzohet Shala për posedim të armës apo mjetin e rrezikshëm dhe se do të kishte interpretime të ndryshme në rast se do të konstatohej se është përdorur ndonjë gaz.

I njëjti ka thënë se në rast se do të kishin ekspertizë dhe do të konstatohej se a ka qenë gaz lotsjellës, e kanë një vendim gjyqësor të cilin e ka paraqitur edhe me shkrim, që thotë që gazi lotsjellës nuk është i rrezikshëm.

Po ashtu ai ka thënë se në rast se do të kishin një ekzaminim nga eksperti dhe do të vërtetohej se ka qenë gaz lotsjellës.

I njëjti shtoi se nuk mund të konstatohet armë, vetëm se shohim apo na i djegin sytë, , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati tha se i mbrojturi i tij në fazën e policisë e ka pranuar se ka përdorur gaz lotsjellës, por kanë përdorur edhe shumë të tjerë dhe se nuk e dinë nëse janë duke folur për rastin konkret apo jo.

Në rastin konkret, thotë se ka shumë deputet të tjerë që e kanë përdorur një lloj gazi, por asnjëherë nuk është konfiskuar mjeti.

Andaj, i ka propozuar gjykatës që të marrë aktgjykim lirues, në mungesë të provave për të vërtetuar nëse i mbrojturi i tij ka përdorë armë apo mjet të rrezikshëm më 30 nëntor 2011.

I akuzuari Haxhi Shala ka deklaruar se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit Sopjani.

Shpallja e këtij aktgjykimi për këtë çështje penale do të bëhet më 31 dhjetor 2021.

Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375, par.1 të KPRK-së.

Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme