Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar nga Gjykata Themelore që t’ua caktojë paraburgimin tetë personave të arrestuar dje nga Policia e Kosovës për kontrabandim me armë dhe municion.
Ata u prangosën në kuadër të një aksioni të realizuar në gjithsej 21 lokacione në regjionin e Mitrovicës, në të cilin u sekuestruan 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.
“Për të pandehurit B.H., I.P., dhe O.B., është paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Detyrimi” nga neni 328 paragrafi 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi ,këmbimi ,ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse nga” neni 364 paragrafi 1 lidhur neni 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Për të pandehurit A.S., T.R., A.B., Sh.S., dhe N.R., është paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ”Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi ,këmbimi ,ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse” nga neni 364 paragrafi 1 lidhur neni 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Seanca për caktimin e paraburgimit për tetë të akuzuarit do të mbahet sot, njoftoi Prokuroria.