Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për shkatërrim të mjedisit, pasi në mënyrë të kundërligjshme kishte nxjerr zhavorr në fshatin Domorovc të komunës së Kamenicës.
I akuzuari R. V. nuk kishte leje për operim që lëshohet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
“Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit R. V., pasi që i njëjti më 13 qershor 2020, në fshatin Domorovc, komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në kundërshtim me nenin 80 të Ligjit Nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet si dhe Ligjit Nr. 04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Miniera dhe Minerale, ka ushtruar aktivitet të jashtëligjshëm, duke shfrytëzuar resurset minerale të rërës dhe zhavorrit, në sasinë prej 1.758.84 m3, pa u pajisur me leje për aktivitet të veçantë me seperacion, nga organi kompetent i KPMM-së. Gjithashtu, i pandehuri duke përdorur forcën mekanike, me qëllim të shfrytëzimit të resurseve minerale, në kundërshtim me rregullat dhe pajisjet të cilat shërbejnë për mbrojtjen nga rreziqet e tilla, ka krijuar, ndotje, degradim ose shkatërrim të mjedisit”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.