Prokuroria Speciale “heq dorë” nga hetimi i Telekomit, e delegon në Prokurorinë Themelore

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 07:53 | Nga Ekonomia Online

Dyshimet për qindra punësime të jashtëligjshme në Telekomin e Kosovës dhe dyshimet për abuzime me kontrata e tenderë milionësh në këtë kompani nuk janë të mjaftueshme për Prokurorinë Speciale që ta hetojë këtë institucion.

Disa javë pas fillimit të mbledhjes së informatave në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në ndërmarrjen publike, që deri para disa viteve ishte më profitabilja në vend, Prokuroria Speciale ka vendosur që rastin me shkresat e lëndës ta delegojë në një prokurori më të ulët, shkruan sot “Koha Ditore”.

Siç ka mësuar gazeta, të martën, ky rast i është ndarë një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Një burim brenda Policisë së Kosovës ka thënë se tash e tutje hetuesit e këtij rasti do të koordinohen me prokurorin që do t’i caktohet lënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Zyrtarisht një informatë të tillë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

“Është e vërtetë që rasti i Telekomit na ka ardhur neve për ta trajtuar”, ka thënë shkurt ai në një bisedë për “Kohën Ditore”. Sipas Bekës, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak që Specialja ka vlerësuar që nuk ka kompetenca për trajtimin e këtij rasti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme