Zyra e Prokurit të Specializuar ka dorëzuar të premten përgjigjjen e saj ndaj ankesës së mbrojtjes së Nasim Haradinajt në Gjykatën e Apelit brenda Gjykatës Speciale, lidhur me rishikimin e paraburgimit të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Prokuroria Speciale në Hagë, në parashtrimin e saj i ka dhënë disa arsye lidhur me trajtimin dhe arrestimin e Haradinajt, për ta mbrojtur vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou në dhjetor, i cili kishte urdhëruar mbajtjen e nënkryetarit të veteranëve në paraburgim, vendim për të cilin mbrojtja e Haradinajt ishte ankuar në Gjykatën e Apelit që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale, raporton Gazeta Express.
ZPS thotë se të drejtat e Haradinajt u respektuan plotësisht që para arrestimit të tij, ndërsa konsideron se mbrojtja e tij nuk ka arritur ta vërtetojë ndonjë shkelje, mbi të cilën do ta arsyetonte kërkesën për rishikimin e mbajtjes së tij në paraburgim.
“…është e qartë se z. HARADINAJ u paraqit para një Paneli pa vonesa të panevojshme dhe se të drejtat e tij ishin respektuar plotësisht. […] Mbrojtja nuk arrin të vërtetojë se kishte ndonjë gabim në çështjen e ligjit që shfuqizon vendimin, një gabim të shkaktuar apo ndonjë shkelje të drejtësisë, ose ndonjë gabim të dukshëm në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të procedurës paraprake diskrecionin. Në vendim, gjyqtari i procedurës paraprake, i cili vuri në dukje se z. HARADINAJ nuk e bëri këtë këtë kërkesë mbi bazën e një dyshimi të bazuar”, thuhet në materialin e Prokurorisë.
Organi i akuzës tutje vijon ta mbrojë vendimin e gjykatësit Guillou duke përmendur edhe rrezikun e arratisjes së Nasim Haradinajt, ndërsa thotë se mbrojtja nuk e adresoi këtë çështje në mënyrë adekuate, duke mos ofruar kushte të mjaftueshme për ta garantuar këtë.
“Gjykatësi i procedurës paraprake vlerësoi me kujdes kërkesat e nenit 41 (6) (b), duke zbuluar se ekzistojnë rreziqe konkrete që ai të ikë, të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera, dhe atëherë që kushtet e propozuara nga mbrojtja nuk adresonin në mënyrë adekuate rreziqet se Z. HARADINAJ do të ikë, pengojë procedurat ose do të kryejë krime të mëtejshme. […] Vendimi adresoi gjithashtu argumentet përkatëse dhe arsyet e vlefshme për gjetjet e përfshira në të”, thuhet tutje në përgjigjjen e Prokurorisë Speciale.
ZPS thotë se “përkundër pohimit të mbrojtjes, vendimi (për ta mbajtur Haradinajn në paraburgim) adresoi argumentet e mbrojtjes mbi ligjshmërinë e paraburgimit”. “Në të vërtetë, Gjyqtari i Procedurës Paraprake përmblodhi, vlerësoi, dhe më pas hodhi poshtë, argumente të tilla, duke dhënë arsye të vlefshme”.
Prokuroria Speciale në Hagë përmend edhe një përpjekje që thotë se e kishte bërë Haradinaj për ta shmangur arrestimin.
“Gjatë marrjes së vendimit të tij, gjyqtari i procedurës paraprake vuri në dukje, ndër të tjera: (i) Përpjekjen e HARADINAJ për ta shmangur arrestimin, mosnjohjen e Dhomave të Specializuara nga ana e tij dhe faktin që aktakuza e konfirmuar përbënte një nxitje të shtuar për të që ai të largohej; dhe (ii) Pohimet publike të Z. HARADINAJ se ai do të vazhdojë të shpërndajë informacion konfidencial dhe jopublik dhe mosrespektimi i tij ndaj urdhrave të gjykatësit”, thuhet në këtë parashtresë.
Pretendimet e zyrës së kryeprokurorit të Speciales, Jack Smith sugjerojnë se “parashtresat e mbrojtjes në këtë bazë janë tërësisht të pabazuara, duke mos identifikuar konkretisht ndonjë argument në lidhje me ligjshmërinë e paraburgimit”. ZPS shton se “mbrojtja thjesht shpreh mospajtimin e saj me vendimin në vend se ta identifikojë ndonjë gabim në të”.
Në fund të materialit, Zyra e Prokurorit të Specializuar i kërkon Gjykatës së Apelit brenda Gjykatës Speciale që ta rrëzojë ankesën e Haradinajt.
“Për arsyet e mësipërme, Paneli duhet ta hedhë poshtë ankesën në tërësinë e saj”, thuhet në fund të parashtresës.