Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një komunikate të lëshuar për media, i ka quajtur deklaratat e Rexhep Selimit si të pabazuara dhe me qëllime tendencioze. Ky organ i i drejtësisë i fton deputetët që të përmbahen nga deklarimet e pavërteta sepse mund të konsiderohen si ndërhyrje në kryerjen e funksioneve të pavarura dhe objektive.
Deputeti Selimi në seancën e djeshme kishte hedhur dyshime mbi punën e organeve të drejtësisë.
Kjo është komunikata e plotë nga Prokuroria Speciale e Kosovës:
Duke respektuar funksionin të cilin e kryen deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, Prokurori i Shtetit rikujton se organet kompetente kushtetuese vendore (të mbikëqyrura nga EULEX-i) kanë nxjerrë vendim ligjor i cili vërteton se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumëzi, e ka dhënë në mënyrë të rregullt provimin e jurisprudencës.
Andaj ftojmë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit që të përmbahen nga deklarime të pavërteta dhe në kundërshtim me vendimet legjitime të organeve shtetërore. Këta përfaqësues do të duhej të promovojnë respektimin e ligjit dhe vendimeve të organeve shtetërore dhe jo të japin deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze.
Këto fjalime politike përbëjnë një praktikë negative të cilat dëmtojnë drejtuesit e institucioneve dhe zbatimin e ligjit nga institucionet e pavarura kushtetuese si dhe mund të konsiderohen ndërhyrje në kryerjen e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe objektive, mbi parimet e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit.
Në fund sigurojmë se institucioni i Prokurorit të Shtetit, nuk do të mbështes asnjë individ që ka shkelur apo do ti shkel ligjet e këtij vendi, por Prokurori i Shtetit punon dhe do të vazhdojë të punoj në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit e jo sipas pritjes së personave të caktuar.