Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opininonin se, sot, më 02.05.2019, ka mbajtur trajnimin me temën “Dhuna në familje”, të organizuar nga Koordinatorja për rastet e dhunës në familje, znj. Shenaj Berisha, prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në mbështjetje financiare nga OSBE-ja, me pjesëmarrje të bashkëpunëtorëve profesional të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe bashkëpunëtorë profesional të Prokurorisë së Shtetit.
Fjalën hyrëse të kësaj punëtorie e mori Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, derisa në cilësinë e ligjeruesve ishin prokurorja e kësaj prokurorie, Shenaj Berisha dhe Valentina Bejtullahu Turjaka, Zyrtare nacionale e programit, Misioni i OSBE-së në Kosovë, ndërsa trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga Policia e Kosovës e përfaqësoi, Major Tahire Haxholli.
Gjatë këtij trajnimi u diskutua për fenomenin e dhunës në familje, trajtimin e rasteve të dhunës në familje në procedura civile dhe penale, si dhe njoftimi i pjesëmarrësve të këtij trajnimi, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin e posaçëm për veprën penale “Dhunë në familjë”, neni 248 të KPRK-së.
Krejt në fund të këtij trajnimi u nxorrën konkluzione për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe luftimin e kësaj dukurie negative, si dhe pjesëmarrësit e këtij trajnimi u pajisën me çertifikata.