Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.O., në cilësi të personit zyrtar si Shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri I.O., prej muajit maj 2017 e në vijim deri në muajin maj të vitit 2018, në cilësi të personit zyrtar si Shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, nuk i përmbush kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, me dije shkel ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i tejkalon kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi Prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka shpallur nule ose jo ekzistente.
Në këtë mënyrë, i pandehuri vepron në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi Financat Publike, duke i mundësuar Operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate jo ekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro.
Me këto veprime, i pandehuri I.O., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “ nga neni 422, parag. 1 lidhur me parag. 2.1 të KP-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.