Prokuroria vendore vazhdon hetimet për Deharin

Prishtinë | 24 Nën 2016 | 08:15 | Nga

Pavarësisht kundërshtimit nga familja që Prokuroria të hetojë rastin “Dehari”, por edhe pas përgjigjes negative për hetime nga Policia Metropolitane “Scotland Yard”, Prokuroria në Prizren ka konfirmuar se po vazhdon të kryejë hetime që ndërlidhen me vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes”.

Pavarësisht refuzimit që ka bërë Policia Metropolitane Britanike “Scotland Yard” për të hetuar vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes” Astrit Dehari, është Prokuroria vendore ajo që po vazhdon hetimet.

Ndonëse për këtë nuk po pajtohet familja e të ndjerit Dehari e as Lëvizja “Vetëvendosje”, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit Sylë Hoxha ka thënë se do të vazhdojnë hetimet.

“Ne jemi duke i vazhduar hetimet për rastin Dehari. Prokurori i rastit po merret me hetimet. Ne për hetime të tilla bazohemi vetëm në ligjet në fuqi”, ka thënë Hoxha.

I pyetur nëse duhet marrë parasysh kërkesën e familjes Dehari që hetimet të ndërpriten, ai ka thënë se Prokuroria ka hierarkinë dhe vepron vetëm sipas ligjeve.

MD-ja vdekjes së Deharit i referohet si vetëvrasje

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate, ka sqaruar se kërkesën për përfshirjen e Policisë Metropolitane “Scotland Yard”, në hetimin e vdekjes së Astrit Deharit, e kanë parashtruar para daljes së raporteve nga Mjekësia Ligjore dhe Prokuroria.

Kjo, siç thuhet në njoftim, me qëllim të eliminimit të dyshimeve të shfaqura në publik sa i përket paanshmërisë dhe besueshmërisë së procesit të hetimeve. (Gazeta Zeri)

Të ngjashme