Prokurorja kërkon dënimin e të akuzuarve në rastin ‘Izraeli’

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 12:09 | Nga

Prokurorja e Prokurorisë Speciale Merita Binaj-Rugova ka kërkuar dënimin e nëntë personave të akuzuar se kanë planifikuar ta sulmonin ekipin kombëtar në futboll të Izraelit në vitin 2016, derisa ata planifikonin të luanin kundër Shqipërisë në qytetin e Shkodrës.

“Në bazë të fakteve që janë prezantuar gjatë këtij gjykimi, kërkoj nga trupi gjykues që të dënohen të gjithë të akuzuarit. Qëllim i dënimit është rehabilitimi dhe parandalimi. Po ashtu, dënimi ka për qëllim integrimin e tyre në shoqëri”, ka thënë prokurorja Rugova.

Tre nga të akuzuarit tashmë kanë pranuar fajësinë. Ende nuk dihet kur të merret vendimi përfundimtar për të akuzuarit.

Në vitin 2016, Policia e Kosovës kishte parandaluar një sulm të mundshëm terrorist kundër kombëtares së Izraelit në futboll në ndeshjen përballë kombëtares së Shqipërisë, që ishte planifikuar të mbahej në Shkodër.

Fillimisht u arrestuan 18 persona dhe vetëm ndaj nëntë personave u ngritën aktakuza.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria thuhet se disa prej të akuzuarve kanë qenë në kontakt me të ashtuquajturin lider të shqiptarëve në kuadër të grupit militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak, Lavdrim Muhaxheri, nga ku kanë marrë urdhra për të kryer sulme.

Muhaxheri, i cili njihej si komandant i shqiptarëve brenda IS-it, raportohet se është vrarë në vitin 2017, ka thënë familja e tij dhe Policia e Kosovës.

Te të akuzuarit është gjetur dhe eksplozivë i llojit të ngjashëm me atë që është përdorur gjatë sulmeve në vende të ndryshme, si Paris dhe Bruksel.

Në vitin 2015, Kosova ka aprovuar një ligj që sanksionon çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja dhe mund të dënohet deri në 15 vjet burg.

Të ngjashme