Me veprat e tij, Arbën Xhaferi afirmoi vlerat kombëtare. Ai ishte një prej mendimtarëve më të mëdhenj ndër politikanët shqiptarë, ndërsa vepra e tij u cilësua si platformë të gjallë diskutimesh, reflektimesh e përfundimesh.
Kështu u tha në promovimin e veprave në pesë vëllime të Arben Xhaferit që u bë të premten në Prishtinë, raporton Ekonomia Online. Në këtë promovim morën pjesë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa etj.
Kryeministri shqiptar e ka cilësuar Xhaferin një princ i pakonkurrueshëm si intelektual, i cili shkoi përtej dhe mori rolin e vështirë – “të aktorit të angazhuar politik”.
“Xhaferi ishte dijetari më i dalluar prej politikanëve dhe politikani më i dalluar ndër dijetarët – shëmbëlltyrë e një përpjekje të pafundme të shqiptarëve”, tha Rama.
“Arbën Xhaferi ishte një admirues i Evropës, një admirues me një njohje të jashtëzakonshme të Evropës”.
Sipas tij, Xhaferi ishte udhëkryqi mes rilindasit të fundit dhe dijetarit të parë bashkëkohor.
Madje, kryeministri i Shqipërisë, jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit e cilësoi të shenjtë.
Rama tha se Xhaferi nisi shkrimet e tij në një periudhë të dyfishtë, në kohën kur po binte komunizmi dhe nën dy në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.