Të mërkurën në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është promovuar libri “Politika e Jashtme dhe marrëdhëniet bilaterale të Kosovës”, me editor Liridon Likaj.
Profesori Armend Bekaj tha se ky është libri i parë që hulumton në mënyrë akademike marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ky libër ka një vlerë të posaçme jo vetëm për studentë, hulumtues e analistë por edhe për politikëbërësit.
“‘Politika e Jashtme dhe marrëdhëniet bilaterale të Kosovës’ është libri i parë që hulumton në mënyrë akademike marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Kosovës. Ka një vlerë të posaçme jo vetëm për studentë, hulumtues e analistë por edhe për politikë-bërësit”.
“Për mendimin tim janë dy sfida kur shkruhen libra të tillë, e para ana përmbajtjesore, duhen bërë shkrime e rishkrime, e dyta është koordinimi i një sërë autorësh për të botuar librin. Dhe Liridoni është treguar tejet i durueshëm në këtë aspekt”.
Profesori Arben Hajrullahu tha se vetë fakti që po diskutohet për këtë temë është arritje e madhe për vendin.
“Për të folur për politikën e jashtme të Kosovës, vetë fakti që është e mundshme të flasim për një gjë të tillë është e arritur e madhe. Unë besoj dhe e gjithë evidenca empirike tregon që rasti ynë është rast suksesi. Vetë fakti që jemi palë në politikën e jashtme tregon shumë”, tha Hajrullahu.
Bekim Baliqi, gjithashtu profesor në UP tha se politika e jashtme nuk është për t’i rehatuar militantët, duke shtuar se Kosova nuk ka traditën në këtë drejtim prandaj edhe ka ngecje, raporton EO.
“I përgëzoj autorët për punën që e kanë bërë. Sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën dhe për autorë nga Kosova. Është kontribut jashtëzakonisht i madh edhe për shkencën edhe për kulturën. Jemi në një gjendje që nuk është aspak e pëlqyeshme e aspak e lehtë. Politika e jashtme nuk është për t’i rehatuar militantët”.
“Disavantazhet që i ka pasur Kosova janë se nuk ka pasur traditë. Tradita e krijon një normë që pavarësisht personave vazhdojnë të funksionojnë proceset. Shpresoj që të vazhdohet me libër edhe për shtete të tjera. Sepse kemi nevojë të shohim për marrëdhëniet e jashtme që ka Kosova. Gjithashtu po shpresoj që ka ngritur vetëdijen për nevojën e të parit si po funksionojnë marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe vendeve të tjera”.
Ndërkohë editori i librit, Liridon Likaj, tregoi se libri doli nga shtypi më 14 prill të këtij viti. “Ky libër i përbashkët analizon marrëdhëniet e përbashkëta të Kosovës me vende të ndryshme. Çdo kapitull i kushtohet marrëdhënies së Kosovës me shtetin përkatës”.
“Ideja e librit është një rezultat i një hulumtimi të gjatë si dhe me përvojën time personale dhe profesionale. Jam rritur duke ndjekur rrugën e Kosovës drejt pavarësimit. Të gjithë kontribuuesit e këtij libri janë shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Kosovë ose Ballkan”, tha Likaj.