“Kalorësit e Dardanisë” është romani më i ri i Gani Mehmetaj, i cili u promovua në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, raporton Ekonomia Online.
Ky promovim filloi duke u lexuar një fragment nga redaktori i këtij romani, Shaban Arifaj.
Ai tha se ky roman kalon parametrat artistik.
“Ky roman jo vetëm me ngjarjen, përmbajtjen e stilin kalon parametrat e stilit artistik. Ai duke studiuar rrethanat e ngjarjes e fut lexuesin në roman. Në këtë mënyrë unë besoj edhe në shkrimet tjera të autorit” , tha ai.
Fehmi Cakolli, studiues i letërsisë tha se këto projekte janë vetëdije nacionale për lexuesin.
“Në tri vitet e fundit ky krijues ka sjellë 4 romane. Duke parë veprën e Mehmetaj vërej se në të gjitha tekstet e tij është një projeksion vetëdije nacionale”, tha ai.
Cakolli tha se ky libër është prozë postmoderne me epilogun që ka antiken, mesjetën dhe ka gjuhë dominante.
“Autori shpalos kroniket e të gjitha kohëve dardane, autori ka zgjedhur mënyrën që civilizimi dardanë të i japë. Teksti i Mehmetaj është prozë postmoderne me epilogun që ka antiken, mesjetën dhe ka gjuhë dominante me shume përshkrime, dialog, monolog, romanca, vizione, beteja etj. Romani “Kalorësit e Dardanisë”, mbetet romani më i mirë i autorit me mesazhe për njeriun”, tha Cakolli.
Studiuesi i letërsisë, Prend Buzhala, gjatë komentimit të kësaj vepre tha se vepra e Mehmetaj është ndër veprat e pakta që shpjegojnë tematikën e Ilirisë.
“Desha të theksojë një element që është trashëguar nga epoka iliro-romake se është e bollshme të bashkëjetojnë disa religjione. Ky roman, është ndër veprat e rralla që shtjellon tematikën e Ilirisë, autori arrin që fijet e linjave të tërheqin personazhet”, tha ai.
Ndërsa autori i romani, Gani Mehmetaj tha se përmes këtij libri ka dashur që të tregojë që kishim rrënjë dhe kishim të kaluar.
” Lidhur me numrin e 300 kalorësve që përmenden në roman, simbolizon 3100 ushtarët që morën Krujën. Pra, jam munduar ta mistifikojë apo demistifikojë këtë gjë”, tha autori i romanit, raporton EO.
Libri u botua nga shtëpia botuese “Titanikë”.