Në manifestimin e 9-të tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”, që u mbajt sot në Klinë, u promovua përmbledhja poetike “Unë jam në çdo vend”, me poezi të zgjedhura të Tahir Deskut, përgatitur nga kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota.
Në këtë manifestim është zgjedhur vepra më e mirë letrare, si dhe është mbajtur orë letrare. Ky manifestim i madh letrar, edhe këtë vit ka mbledhur poetë e krijues nga gjitha trojet shqiptare.
Për përmbledhjen poetike “Unë jam në çdo vend” të Sokol Bashotës, Sadik Zeqiri, botues i veprës, tha se libri është i veçantë për arsye se është i pari në gjuhën shqipe, me përzgjedhje të poezive të Tahirit, me lirika kryesisht atdhetare, përgatitur nga një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili nuk harron t’i nderojë ata që s’i kishte vetëm luftëtarë, s’i kishte vetëm miq, s’i kishte vetëm bashkëvendës, s’i kishte vetëm kolegë të studimeve.
“Sokoli me këtë libër nuk nderon vetëm një njëri, vetëm një Tahir. Nderon gjithë krijimtarinë artistike, publicistike, familjen Desku, krijuesit e Klinës, ata për të cilët ka shkruar Tahiri, komandant Mujë Krasniqin dhe 36 të tjerët të rënë në Gorozhup. Ky është një libër që kujton luftën dhe çmimin për liri”, tha Sadiku.
Kurse krijuesi dhe poeti Adem Gashi tha se duke qenë shok e mik me të ndjerin, lirikun e madh, jo nga ata që dalin si kofini pas të vjeli, Bashota futet në labirintet dhe dyndallën e kësaj lirike me mendje e zemër, me pietet e dashuri dhe bashkëndien tiktakun e një ore që rrah herë plogësht dhe e zvargur (para lufte), herë hovshëm e me rropamë (gjatë luftës), e herë përmallshëm e dhimbshëm (pas lufte).
“Mbi këtë bazë e këto parime, sipas kësaj metodologjie, Bashota rilexon lirikën e Tahirit. Ditëve të sotme kur kanë shpërthyer shkronjës e letërnxirës të shumtë me lloj-lloj antologjirash, sa për të bërë libër, libra, (ajme për letrën!), Sokoli i rri besnik parimit pa kushte të mëtimit të leximit e rileximit të vlerës së artit letrar; qëmtimit, përzgjedhjes e përkujdesjes deri në imtësi të përbërësve të tekstit letrar; pedanterisë së kujdesshme në planin e korrektësisë së transit të tekstit autentik të të përzgjedhurit”.
Për përmbledhjen foli edhe Sali Bashota, sipas të cilit është kënaqësi e veçante të flasësh për një libër, e cila nderon veprën poetike të Tahir Deskut dhe shenjë nderi e kontributi i pakursyer për punën e kryetarit të Komunës së Klinës.
“Duke e nderuar veprën e Tahir Deskut, nderojmë veprën dhe sakrificën që ka bërë ai për Kosovën”, tha Sali Bashota.
E autori i librit, Sokol Bashota, tha se qëllimi im i nxjerrjes së kësaj përmbledhje është që ta rikthejë Tahirin edhe përmes kësaj vepre.
“Ai e meriton një gjë të tillë. Ka lënë gjurme para dhe pas luftës. Jam mundur të bëj diçka të vogël për Tahirin, i cili meriton më shumë. Vepra e Tahirit sot është aty ku është letërsia shqipe: këtu në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe tek ata shqiptarë që jetojnë në diasporë. Tahir Desku, njihet si gazetar i vijave të frontit, i cili ishte edhe në llogoret e UÇK-së. Tahiri do të mbetet i gjallë, ngase la gjurme gjatë dhe pas luftës”, tha Bashota.
Në ketë manifestim u shpall vepra më e mirë letrare në mes dy manifestimeve dhe juria në përbërje Hajdin Morina, Mikel Gojani dhe Idriz Berisha, kanë vlerësuar së çmimi “ Ora e Tahir Deskut”, t’i takojë i krijuesit, eseistit dhe publicistit Adem Gashi, me veprën poetike “Ditët pa gjë”.
Në pjesën e tretë u mbajt orë letrare, ku juria vlerësoi tre më të mirët: Mahir Morina, me poezinë “Rapsodët e Lirisë”, Leonora Lokaj, me poezinë “Kurrizit të viteve, pikon malli” dhe Izet Abdyli, me poezinë “Jeta”.