Pronari i Manchester Cityt, Sheikh Mansour, gati sa nuk bleu një klub nga Londra, para se të merrte nën kontroll kampionin në fuqi të Anglisë.
Mansour po feston dhjetëvjetorin e blerjes së Manchester Cityt dhe ndërrimit të formës së futbollit.
Por miliarderi kishte qenë shumë pranë të blinte një skuadër nga Londra, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, transmeton “Koha Ditore”.
Këshilltarët e tij kishin mbajtur takim sekret në hotel në Paris me një klub të madh nga Londra, mirëpo Mansour vendosi se Manchesteri është vendi për të. Mansour ka shikuar vetëm një ndeshje të Cityt nga stadiumi në një dekadë.
“Sheikh Mansour kishte disa njerëz që po kërkonin klub për të dhe sa herë që vinte një opsion i vërtetë ai më telefononte dhe më pyeste se çfarë mendoj. Mirëpo në fillim të verës së vitit 2008 ishte bërë e qartë se Sheikh Mansour kishte vlerësuar Manchester Cityn si opsionin më atraktiv. Më pas vazhdoj dhe e bëri marrëveshjen. Ai e do këtë klub sipas mënyrës së tij dhe brenda ambientit të tij. Përfundimisht mendoj se qëndrimi në tribuna dhe shikimi i ndeshjes nuk është stili i tij. Nuk e di nëse fjala ‘stil’ është adekuate të përdoret në këtë rast. Por e dini, unë nuk po e ekzagjeroj. Në dhjetë vjet ai nuk ka humbur asnjë ndeshje. Nuk mund të mbaj në mend një ndeshje, pavarësisht nëse ishte në Premier League, Ligë të Kampionëve, FA Cup apo League Cup, në dhjetë vjetët e fundit që ai e ka humbur. Ai ka parë çdo ndeshje”, ka thënë kryetari i Manchester Cityt, Khaldoon Al Mubarak, për “Daily Mail” .