Agjencia serbe e lajmeve Tanjug, duke iu referuar shkrimit të radios gjermane Deutsche Welle, e cila raportoi se takimi i mbrëmshëm në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit ka dështuar, dhe burimeve të veta, thotë se ka dyshime se Prishtina zyrtare është duke u përgatitur të sulmojë serbët në veri të Kosovës.
Tutje, Tanjug shkruan se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Bruksel, në takimin e dytë të Kosovës dhe Serbisë në nivelin e lartë, nuk është kumtuar, dhe pjesëmarrësit e takimit të mbrëmshëm në Bruksel kanë respektuar marrëveshjen me përfaqësuesen e lartë Frederica Mogerini që të mos japin deklarata për media.
E vetmja gjë që dihet, është ajo se darka e punës në mes të palës serbe dhe asaj kosovare nuk ka zgjatur shumë. Ndërsa takimi në mes të përfaqësueses për politikë të jashtme të BE’së, Federica Mogherini palës serbe ka zgjatur më shumë se dy orë.
Në anën tjetër, kryeministri serb, Aleksandar Vucic, ka paralajmëruar për një takim urgjent me serbët e Kosovës që do të zhvillohet sot rreth orës 17:00 në Rashkë, qytet afër kufirit me Kosovën.