Të gjithëve na kujtohen sulmet dhe kritikat e kryeministrit Kurti ndaj përpjekjeve diplomatike amerikane për ta intensifikuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Atëbotë ai ishte shprehur se ky proces i takon BE-së, konkretisht Shefit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së, Josep Borrell dhe të deleguarit të Brukselit për dialog, Mirosllav Ljacak. Sepse Kosova ka aspirata evropiane dhe synon që të jetë pjesë e Unionit, ngase ajo nuk është Meksikë.
Mirëpo, paradokalisht asgjë nuk e bënë Kosovën t’i ngjasojë më shumë Meksikës se sa disa propozime të shefit të Qeverisë, sidomos sa i përket sistemit juridik. Në disa intervista, ai kishte deklaruar se anëtarët e Gjykatë Kushtetuese, për shkak të kontestimit të disa nismave të këtij pushteti, duhet e që të marrin pjesë dhe të dalin në zgjedhje. Pra më një fjalë ai i ftonte ata që të mateshin me të në kutitë e votimit. Një qasje të tillë identike paraprakisht e kishte mbrojtur edhe vartësi i tij Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Administratë Publike në Kuvendin e Kosovës. Kështu sipas këtij tandemi politik, institucioni më i lartë juridik është duke ndërhyrë në mandatin që këta e kanë fituar nga populli. Dhe kjo përbën një shkelje ta parimeve të demokracisë së drejtpërdrejtë popullore. Prandaj, kjo e fundit duhet të vendos se kush ka të drejtë.
Dihet se propozime të tilla bizare kanë për qëllim që ta denigrojnë dhe zhvleftësojnë punën dhe pavarësinë e sistemit juridik. Ato i takojnë traditave populiste të modelit demokratik jo-kushtetues dhe jo liberal. Ku legjitimiteti popullor përdoret si argument kundër sundimit të ligjit.
Shembull i tipik i këtij modeli qeverisës mund të merret instalimi i një amendamenti të ri kushtetues para pak ditë në Meksikë. Presidenti i këtij shteti, edhe ashtu të brishtë sa i përket sundimit të ligjit, Andrés Manuel López Obrador, e ka inicuar këtë praktikë. Siç pohon, Larry Diamond në shkrimin “How to End the Democratic Recession-The Fight Against Autocracy Needs a New Playbook” me anë të kësaj nisme ai ka propozuar “që të gjithë gjyqtarët të zgjidhen me votë popullor”.
Kjo përkitje gati identike ndërmjet propozimeve të Albin Kurtit dhe Besnik Bislimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe mënyrës se si do të zgjidhen gjyqtarët në Meksikë, dëshmon më mirë se asgjë tjetër se pse për të parët ky shtet është model qeverisës. Dhe po ashtu se si duke e dashur që ta mbrojnë Kosovën nga Amerika, që të mos shndërrohet në Meksikë me propozimet e tyre e kanë afruar shumë më shumë me të se sa me Bashkimin Evropian.