Propozohet hapja e zyrave bashkëpunuese Kosovë-Austri

Prishtinë | 02 Nën 2016 | 13:59 | Nga

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Austri, Sami Ukelli, ushtruesi i detyrës i sekretarit të përgjithshëm të MSh-së, Ardian Mehmetaj dhe bashkëpunëtorë, priti në takim Shoqatën e Miqësisë Austri-Kosovë, të udhëhequr nga kryetari i saj, Lukas Mandl, bashkë me një ekip të ekspertëve shëndetësorë, ku temë diskutimi ishte bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.

Ministri i njoftoi të pranishmit me të arriturat në shëndetësi, sfidat dhe nevojat për mbështetje që ka shëndetësia për të arritur në stadin e dëshiruar që qytetarëve të vendit t’u ofrojë shërbime shëndetësore cilësore.

Rrahmani tha se krahas ngritjes së kapaciteteve infrastrukturore, shëndetësia në Kosovë ka nevojë edhe për ngritje të kapaciteteve profesionale shëndetësore, me ç’rast ndihma në këtë aspekt nga ana e austriakëve do të ishte e mirëseardhur.

Ai ndër të tjera ka thënë se shëndetësia është prioritet i Qeverisë dhe se gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes janë arritur zhvillime të rëndësishme në shëndetësinë e Kosovës, si në aspektin e ngritjes kapaciteteve infrastrukturore, profesionale dhe ligjore, që garantojnë një të ardhme të qëndrueshme si për profesionistët ashtu edhe për sistemin shëndetësor, ku fokusi do të jetë fuqizimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Ndërkaq Mandl tha se ky takim është vetëm fillimi i bashkëpunimit, duke siguruar mbështetje për nevojat e MSh-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale, infrastrukturore dhe në aspekt të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të cilat nuk mund të ofrohen në Kosovë.

Në takim ekspertët shëndetësorë të Shoqatës së Miqësisë Austri- Kosovë, janë shprehur të impresionua me profesionalizmin e treguar të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë gjatë vizitave të tyre që kanë pasur në klinikat e QKUK-së, përkundër resurseve të kufizuara financiare.

Në takim është dhënë ideja për hapjen e zyrave bashkëpunuese Kosovë-Austri në kuadër të shoqatës, me ç’rast do të lehtësohej bashkëpunimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme