Fondacioni i Uestminster për Demokraci dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë organizuar tryezën e diskutimit “Çfarë kandidatë ofrojnë partitë politike në zgjedhjet e vitit 2019”, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se qëllimi i këtij projekti është ngritja e vetëdijes për qytetarët që mos t’i votojnë personat që kanë probleme me ligjin.
Fitim Mulolli drejtues i Fondacionit Uestminster për Demokraci ka thënë se partitë politike janë përfaqësues të qytetarëve dhe shfaqin moralin e tyre dhe personat që kanë problem me ligjin bie ndesh me këtë rregull apo me këtë parim.
“Disa shtete nëpër botë kanë të rregulluar ligjin e dekriminalizimit të partive politike. Pse duhet të ndodhë dekriminalizimi, janë disa arsye, do të mundohem të përmend 3-4 prej tyre, e para një arsye që rrjedh prej mendjes së shëndoshë, partitë politike janë përfaqësues të vullnetit të qytetarëve, dhe janë bartës të proceseve shoqërore në çdo vend demokratik, andaj nga ata pritet të shpërfaqin vlerat me të larta morale të shoqërisë, veprimet e tyre duhet të kenë me integritet e të përgjegjshme. Prania e njerëzve të tillë që kanë probleme me ligjin në lista zgjedhore dhe pozita qeveritare, e në Kuvend, bien ndesh me këtë vlerë. E dyta, dhe ndoshta më e rëndësishmja, prania e njerëzve ne lista zgjedhore bartet në institucionet më të larta, kur janë në institucionet e larta ata kanë qasje me buxhetin e shtetit, pra taksat e qytetarëve, njerëzit e tillë që kanë probleme me ligjin që nuk kanë vlerë të lartë të integritetit apo dinjitetit rrezikohen që t’i shpenzojnë paratë e tilla në mënyra « korruptive”, tha ai.
E Betim Musliu nga Instituti “Betimi për Drejtësi” ka përmendur rastin e Zafir Berishës ku këtij të fundit iu pamundësua gara për kryetar të Prizrenit.
“Ligji për zgjedhje e ka kufizuar pjesëmarrjen për personat që janë të dënuar në tri vitet e fundit. Por në 2017, kishte një kufizim nga KQZ dhe kandidatit Zafir Berisha iu mohua e drejta për të zgjedhur por kjo u rrëzua nga Gjykata Supreme e cila konstatoi se ligji për zgjedhjet është në kundërshtim me Kushtetutën pasi tha se ndalimi i së drejtës për tu zgjedhur mund të bëhet vetëm me vendim gjyqësor, një vendim plotësues që nëse një kandidat dënohet duhet ta ketë një dënim plotësues që t’i mohohet e drejta për tu zgjedhur dhe ky venim e bëri të mundur mundësinë e tyre për tu zgjedhur”, tha Musliu.
Ai tha se trendi i personave me aktakuza në lista zgjedhore është rritur nga viti 2010 për të vazhduar në 2014 e më pas edhe në 2017.
“Trendi i personave me aktakuza në lista zgjedhore është rritur nga viti 2010 për të vazhduar në 2014 e më pas edhe në 2017, por degradimi ka vazhduar edhe në pushtetin ekzekutiv ku përzgjedhja është bërë edhe për personat me aktakuza dhe me dënime. Kemi një sistem prokurorial që duket si i “kapur”, pasi ka shumë aktakuza të cilat janë ngritur edhe nga PSRK-ja, nuk kanë arritur ta kalojnë as pragun duke u rrezikuar qysh në fazën fillestare dhe ndoshta në raste të caktuara janë ngritur përmes agjendave politike qoftë nga njëra parti qoftë nga tjetra duke u hedhur edhe nga Gjykata Supreme e cila ka konstatuar se janë ngritur pa prova dhe janë ngritur me persekutim dhe kur thuhet kjo nga një gjykatë atëherë le të kuptohet këtë”.
“Nëse një aktakuzë ngritët në vene demokratike duhet që ajo të jetë shumë e bazuar, por nuk duhet të jetë lojë që të dëmtohet një figurë e një paritë politike, por partitë duhet dhënë lista të kandidatëve që nuk kanë probleme me ligjin pa i paragjykuar personat që kanë dënime të shkallës së parë por shembull duhet të dhënë partitë politike në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin kandidat me integritet dhe përmes kësaj do të jepej shembull i mirë që ta kemi një qeveri me përfaqësues që nuk kanë probleme me ligjin dhe ka më shumë pritje të qeverisje me të mirë e jo si në qeverinë e kaluar me afër 13 prej tyre që kanë qenë zv. kryeministra, ministra e zv. ministra të cilët brenda ditës janë gjykuar dhe kanë marrë vendime në qeveri”.
“Ne kemi bërë rekomandim që të ketë dekriminalizimin dhe më e mira do të ishte aspekti etik i partive që të mos përfshijnë këso personash. e fundit është një iniciativë e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli por do të shihet deri në fund se a do të zbatohet. Kjo do të ishte shembull për të gjitha partitë e tjera”.
Të pranishmit në ketë tryezë kërkuan që vetë personat që kanë probleme më ligjin të largohen vetvetiu nga partia, në mënyrë që t’u hapet rrugë organeve të drejtësisë për hapa të mëtutjeshëm.