Protesta e studentëve për bursa, MAShT-i thotë se prioritet është tregu i punës

Prishtinë | 04 Nën 2019 | 14:06 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t’iu ndahen studentëve të kenë shumën e bursave që janë ndarë edhe vitin e kaluar (880 euro), raporton Ekonomia Online.

Mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj sipas MAShT-it janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.

Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve sipas MASHT-it nuk konsiderohen më si deficitare prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MAShT.

U.d i drejtorit të Arsimit të Lartë, Burim Gashi, ka thënë se arsyeja që disa drejtime kanë mbetur pa përkrahje për bursa është se nuk ka nevojë tregu i punës për këto drejtime.

“Ministri ka marrë një vendim për përkrahjen e studentëve. Arsyeja pse ministri ka marrë këtë vendim është për shkak të mungesës së tregut të punës. Në vendim është paraparë që të jetë nota mesatare 9.0. E kemi parë të arsyeshme mos me i përkrah drejtimin e artit se këto dy tri vite nuk ka nevojë për treg të punës dhe në tri fusha tjera. Këtë vit janë zotuar 700 mijë euro. Kjo nuk do të thotë se këtë vit janë anuluar dhe vitin tjetër mos ti përkrahim”, ka thënë ai, raporton EO.

Këtë vit, MAShT ka ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik sepse përveç që ky fakultet përgatite kuadro që në tregun e punës ka mungese të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në këto drejtime.

Me këtë rast, Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje.

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve dhe atij të Filozofikut, që udhëhiqen nga Organizata studentore “Reforma”, kanë protestuar sot kundër vendimit të MAShT-it për konkursin e bursave, për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Studentët e këtyre fushave po ankohen se janë lënë jashtë programit për bursa dhe kanë paralajmëruar se do t’i bojkotojnë ligjëratat nëse nuk rishikohet programi në fjalë.

Të ngjashme