Pasi Edi Rama u prit me protesta sot në Elbasan, Partia Demokratike reagoi me nënkryetarin Edmond Spaho.
Sipas tij qëndrimet e njëpasnjëshme të Edi Ramës për sjelljen e Policisë janë skandaloze dhe të papërgjegjshme, janë qëndrime që nxisin dhe mbrojnë dhunën ndaj kujtdo që është kritik ndaj tij, qytetarë, gazetarë, opozitarë, intelektualë, artistë.
“Një kryeministër duhet të marrë seriozisht çdo shqetësim publik të çdo qytetari. Por Edi Rama është aty jo si kryeministri i njerëzve as madje i socialistëve të thjeshtë, por si garantori i krimit dhe oligarkëve me të cilët plaçkit shqiptarët dhe pasurohet vetë. Prandaj nuk i bëhet vonë as për kuksianët e varfër në burg, as për pacientët pa ilaçe, as për fëmijët pa përkrahje.
I vetmi rast kur ai shqetësohet është kur i preken kriminelët e tij të dashur, nga Rroshi te Tahiri te Xhafa, të cilët i përkëdhel si njerëz të mirë që kanë bëra gabime “të vogla” nga papjekuria e rinisë si përdhunime në grup minorenësh dhe trafik ndërkombëtar kokaine”, shprehet Spaho.
Ai thekson se orët e pushtetit të Ramës po mbarojnë, ndaj shqiptarët dhe opozita do e mbyllin këtë kapitull.
“Me kriminelët e ka lidhur fatin, ndaj edhe mentaliteti dhe gjuha e tij publike nuk ka më asnjë ndryshim nga ajo e të banditëve, e mbushur me batuta banale të denja për kriminelët më katër klasë shkollë.
Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Shqiptarët dhe Europa po ja numërojnë orët mbrapsht. Kapitulli i krimit e korrupsionit të Ramës po shkon drejt fundit. Shqiptarët bashkë me opozitën në krah do ta mbyllin këtë kapitull dhe bashkë do hapim kapitujt e ekonomisë, punës, arsimit, shëndetësisë dhe jetës më të mirë e shpresës për çdo shqiptar që e do Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehet Spaho.