Shoqata “Roja e kohës” organizoi protestë në Prishtinë kundër vrasjeve që kanë tronditur opinionin publik dhe siç u tha kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës në vend.
“Jetën nuk i mbrojnë armët, por drejtësia”, “Shteti që s’mbron jetën, ka dështuar”, “Çarmatosni rrugën, armatosni shkollat me dije”, ishin pankartat, që mbanin protestuesit.
Përfaqësuesi i Këshillit organizues të protestës, Isak Sfarça, bëri thirrje që të parandalohen vrasjet.
“E kemi bërë këtë organizim për të alarmuar. Kosovën e ka kapluar një plagë e rëndë: vrasjet. Këtë fenomen ta ndalim sa më parë”, tha Sfarça.
Kryetari i Shoqatës “Roja e kohës”, Shaip Murseli, tha se dhuna po bëhet përditshmëri. Ai e cilësoi vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës si një alarm për shtetin.
“Sot jemi mbledhur, jo si individë të ndarë, por si një trup i vetëm për të ngritur zërin kundër plagës së thellë që po e gërryen shoqërinë tonë. Nuk ka më vend për heshtje. Kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës bie viktimë e një akti të rëndë kriminal para hyrjes së ndërtesës, ku jeton, kjo nuk është thjesht një tragjedi personale. Ky është alarm për shtetin. Jemi këtu për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që kanë humbur jetën mizorisht për të thënë qartë dhe fuqishëm: mjaft më! Sa gra të vrara në shtëpi nga dora e burrit?
Sa të rinj të vrarë në rrugë, për një fjalë goje, për një konflikt banal? Sa familje të shkatërruara? Sa varre të hapura para kohe? Ku po shkon ky vend kur jeta e njeriut po humbet vlerën, kur arma po bëhet mjet për zgjidhje të mosmarrëveshjeve, kur fëmijët tanë po rriten me frikë ne vend se të rriten me ëndrra”, tha Murseli.