Protestë masive në Argjentinë kundër papunësisë dhe taksave të larta

Prishtinë | 13 Shk 2019 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Mijëra protestues i kanë bllokuar sot rrugët kryesore të kryeqytetit të Argjentinës përderisa kanë protestuar për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe politikave të liderit djathtist të këtij shteti, Mauricio Macri, përfshirë pakësimin e shërbimeve publike.

Shtresa e mesme e popullsisë në Argjentinë, e cila tashmë po përballet me inflacion dhe recesion të lartë, është goditur edhe më shumë nga rritja e çmimit të ujit, rrymës dhe ngrohjes, ndërsa presidenti Macri ka vendosur që t’i zvogëlojë shpenzimet e qeverisë. Ky vendim është marrë si pjesë e një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për ta zhdukur deficitin fiskal deri në fund të këtij viti.

Një protestues, i cili po merrte pjesë në protestë bashkë me vajzën e tij njëvjeçare në qendër të Buenos Airesit,  ka thënë se ai po proteston për shkak se nuk po mund të gjejë punë dhe se familja e tij merr pak ndihma nga shteti. “Nëse nuk kam punë, nuk do të kem asgjë për fëmijët e mi”, ka thënë ai.

Besohet se Macri do të garojë sërish për një mandat të dytë në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në tetor të këtij viti. Ai do të sfidohet nga paraardhësja e tij, Cristina Fernandez, e cila është figurë e parapëlqyer në mesin e opozitës majtiste.

Protestat janë të shpeshta në Argjentinë, ku sindikatat e punëtorëve kërkojnë rritje të pagave për shkak të rritjes së çmimit të prodhimeve ushqimore. Shkalla e inflacionit në fund të vitit të kaluar ka qenë 47.6 për qind, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme