Protestë para Qeverisë – qytetarë nga Malisheva e Klina kundër devijimit të autostradës: Tokën e bukës po na e marrin

Prishtinë | 13 Pri 2023 | 10:08 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarë nga komuna e Malishevës dhe komuna e Klinës kanë protestuar para Qeveria, kundër devijimit të autostradës Prishtinë-Pejë, raporton Ekonomia Online.

Kërkesa e tyre është autostrada të vazhdohet në rrugën aktuale.

Sheremet Pantina, përfaqësuesi i banorëve, pas takimit në kryeministri tha se zyrtarë në këtë institucion nuk kishin informacione për kërkesat e tyre.

Madje sipas tij, sekretari Arben Krasniqi, vetëm se u ka caktuar në takim në ministrinë e Infrastrukturës.

“Ne ishim pesë përfaqësues të kësaj proteste, tek sekretari u kryeministrit, Arben Krasniqin. Biseduam me të mirëpo është një çudi e veçantë, se sekretari nuk ka njohuri për punën që kemi ardhur ne, as për rrugën kah ka me shkuar. Disa kërkesa që janë bërë më herët i ka dërguar tek kryeministri, nuk ka përgjigje nga kryeministri a i ka marrë apo jo, a i ka shqyrtuar a s’i ka shqyrtuar”, tha Pantina.

“Na bëri një takim me ministrin e infrastrukturës, tash jemi t’u shkuar atje që të na tregojnë detaisht për trasenë e rrugës, kah do të shkojë. Këta nuk kanë ide për trasenë e rrugës kah ka me shkuar ose qysh ka me shkuar. Ne insistuam të kemi takim me ata që e njohin problemin dhe na e mundësuan”, tha tutje Pantina.

Zenel Balaj, nga komuna e Klinës tha se shteti duhet që ta ndërtoi autostradën siç ka qenë. Madje ai thotë se nëse devijohet autostrada do t’u merren toka e punueshme, duke shtuar se “tokën e bukës po na e marrin”.

“Prej 70’tës është qajo rrugë, është e pranuar rruga kryesore tash e lënë atë rrugën kryesore, tokën e bukës duan të na e marrin, me na mbyllë, 5-6 fshatra. Me na e marrë tokën na veç kemi me e lëshuar Kosovën, s’di kah shkojmë. Ato biznese që janë duke punuar, ajo rini ata duhet ta ndërprenë atë punë, edhe të kapin strajcën të dalin jashtë”.

“Ne po themi rinia me nejt me punuar qitu edhe po na i mbyllni. Ata që e kanë bërë atë projekt ai është fajtori i madh, se rruga kryesore që ka qenë është e pranuar, e paguar. Tash pse të paguajë shteti arat edhe njëherë, për çka me i paguar edhe njëherë. Nuk është nevojë gjithë ato pare t’i japë shteti kur ka nevojë të zhvillojë shtetin me një biznes, me një diçka tjetër. Shteti po na bllokon, ne nuk e di çka bëjmë hiç. Nuk do të ndalemi deri të kryhet rruga kryesore kah është e pranuar, e jo me na i marrë tokat tona, e me na lanë rrugëve”, tha Balaj.

“Paqësore dhe vetëm paqësore, edhe nëse nuk merret për bazë në do ta bllokojmë rrugën do të mbesim qaty edhe nuk do të lejojmë të na merren tokat e bukës edhe me na u ndalë rruga, bizneset, me na ikë të rinjtë, prej këtu, prej shtëpie”, tha Balaj.

Të ngjashme