Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, së bashku me organizata joqeveritare dhe qytetarë të tjerë kanë protestuar përpara sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke e dënuar kështu dhunën e ushtruar ndaj 16- vjeçares nga Ratkoci i Rahovecit.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, tha se nuk do të heshtin asnjëherë së kërkuari llogari ndaj atyre që shkaktojnë dhunë në familje dhe për këtë ajo tha se kanë bërë edhe një hulumtim gjatë vitit 2015.
“Performanca nga ana e institucioneve ka rezultuar të jetë e anashkaluar, sepse vlerat e tyre personale që ata i konsiderojnë si të moralshme i marrin vetëm kur atyre u konvenon. Zyrtarët e institucioneve duhet të kryejnë punën e tyre vetëm ashtu siç i thërret ligji dhe jo të japin moral”, ka thënë Berisha.
Ajo ka paralajmëruar se në 2017 do dalin prapë me një raport kundrejt dhunës në familje, e që sipas saj, janë duke punuar që të ndryshojnë mentalitetin e kosovarëve për të raportuar dhunën.
Kjo është protesta e dytë, në të cilën u dënua ashpër dhuna e ushtruar ndaj të miturës nga Rahoveci, ku edhe njëherë u bë thirrje për dënimin e autorëve të këtij sulmi që nga protestuesit u konsiderua si i papranueshëm.