Protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës “Asnjë cent më shumë”

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 12:16 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot është mbajtur protesta e parë kundër shtrenjtimit të rrymës. Organizatorët thanë se protesta i ka dy kërkesa kryesore: 1. Qeveria të mos e aprovojë bllok-tarifën e propozuar nga ZRrE-ja dhe 2. Nacionalizimin e KEDS-it, si zgjidhje afatgjate e problemeve të vazhdueshme në sektorin e energjisë në Kosovë.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti”, qytetarët kanë marshuar deri te ndërtesa e Qeverisë, duke brohoritur “Asnjë cent ma shumë”, raporton Ekonomia Online.

Në duar, ata mbanin dhe pankarta me thirrje të tjera si “S’paguajmë edhe për veriun”, “Rryma nuk është luks”, etj.

Organizatorja, Anita Mjeku, iu drejtua masës, duke iu thënë se reagimi i tyre është si rezultat i tendencës së ZRRE-së për t’u shtrenjtuar çmimi i rrymës.

“Kjo është një padrejtësi që po na kanoset kur kriza pandemike e ekonomike është duke u thelluar. Njëherë u ballafaquam me reduktim enorme, duke u kërcënuar tani për atë se nëse nuk duam reduktim të paguajmë më shumë.. Propozimi i fundit të ZRRE-së do të na varfërojë edhe më shumë”, ka thënë Mjeku.

Sipas saj ky propozim thellësisht i padrejtë, është tentativë për t’i pasuruar bizneset.

Ajo tha se janë mashtruar nga kryeministri Kurti, duke shtuar se qytetarët e dinë se sa paguajnë rrymën, dhe me tarifat aktuale nëse një banor ka paguar 50 euro në muaj, me tarifat e reja do paguajë diku rreth 108 euro.

Ajo madje kërkoi që kryeministri të bëjë një zgjedhje në mes qytetarëve ose KEDS-it.

“Kryeministri thotë se qytetarët po fantazojnë, ose do të ketë reduktime, ose shtrenjtim të rrymës, ne i themi ose neve ose KEDS-in dhe ia bëjmë me dije edhe kryeministrit edhe të gjithëve se rryma asnjëherë nuk ka qene e lirë. Ne e dimë edhe sa e paguajmë faturën edhe sa KEDS-it, nuk do të japim asnjë cent ma shumë për me e pasunu KEDS-in”, ka shtuar ajo.

FJALIMI I I PLOTË I ANITA MJEKUT:

Që nga dhjetori i vitit të kaluar ne jemi shantazhuar vazhdimisht me reduktime e rritje çmimesh të energjisë e jemi tallur nga institucionet që janë zgjedhur për t’na përfaqësuar. Nji herë u ballafaquam me reduktime enorme të energjisë të cilat na e përkeqësuan mirëqenien e funksionimin kolektiv të secilës e secilit prej nesh, për t’u kërcënuar tutje që nëse nuk duam reduktime, duhet të paguajmë më shumë. E tash po ballafaqohemi me shantazhin e qeverisë për shtrenjtim të energjisë.

Propozimi i fundit i ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen e çmimit të energjisë, do të na varfërojë edhe më tej secilën/in prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.

Ky propozim, thellësisht i padrejtë dhe zhvatës, është një tentativë tjetër për të na faturuar neve qytetareve/ëve, pasurimin e bizneseve. Kjo pasiqë bllok tarifa dhe rritja e çmimit të energjisë na aplikohet vetëm neve, qytetareve/ëve dhe jo edhe bizneseve. Pra, në këto kushte, sipas propozimit të ZRrE-së, qytetaret/ët e Kosovës, me nji pagë minimale prej 180 eurosh e nji numër të madh të papunësisë, do t’ua paguajnë faturën edhe bizneseve. Plus veriut, i cili abstrahohet nga çdo masë e ligj në Kosovë. Vendimi i ZRrE-së nuk ka kuptim përderisa gjendja jonë ekonomike është duke u dëmtuar çdo ditë. Buxheti tashmë i qytetareve/ëve kosovare/ë, nuk mund ta përballojë edhe nji rritje të tillë.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës na thotë se qytetarët po fantazojnë, sepse ska rrugëdalje, ose shtrenjtim ose reduktime ose subvencionim. Me ose- osat e kryeministrit, ne duhet t’i themi atij OSE neve OSE KEDS-in dhe ia bëjmë me dije edhe kryeministrit e të gjithë atyne që sot kanë guximin ta fyejnë çdo person në Kosovë që rryma asnjiherë nuk ka qenë e lirë.

Ne e dimë edhe sa e pagujmë faturën, edhe sa fiton KEDS-i, edhe sa pagujmë për veriun, edhe sa ja jepni ju KEDS-it subvencion prej pareve tona.

Kryeministër na dimë ma shumë se që ti menon, na e dimë se faturën e rrymës po e pagujmë 4 herë të njejtën. Andaj, ua themi edhe nji herë që ne nuk do e japim asnji cent ma shumë për ta pasunu KEDS-in.

Ne do e kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike që i kemi në dispozicion çdo propozim që nuk na mbronë interesat tona por na bënë argat të kompanive private. Andaj dhe kërkojmë që:

1. Qeveria të mos e aprovojë bllok-tarifën e propozuar nga ZRrE-ja dhe

2. Ta shtetëzojë KEDS-in, kjo si zgjidhja jonë më e qëndrueshme për furnizim të drejtë me energji elektrike të të gjitha/ë neve, pa dallim.

Ne nuk do të tërhiqemi derisa kërkesat tona të adresohen dhe shteti të rreshtohet me qytetarët e jo kompanitë private.

Ju faleminderit!

Të ngjashme