Grupi i qytetarëve #Protestoj vazhdon edhe më tej aksionet për të shprehur zërin e tyre kundër përgjimeve të publikuara të aferës “Pronto 2”.
Grupi i qytetarëve protestues #Protestoj sot ka realizuar një aksion simbolik para Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndaj deklaratave të deputetit të PDK-së Adem Grabovcit, i cili ditë më parë para prokurorie theksoi se kishte shkuar “për të bërë disa emërime”.
#Protestoj ka shpalosur pankartën me mbishkrimin “Kë emëroi Grabovci më 14.09.2016?”.
Përfaqësuesja e këtij grupi, Saranda Sylejmani, përmes këtij aksioni ka kërkuar nga prokurorja Drita Hajdari , prokurori Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani se për kënd e kishte fjalën Grabovci, kur deklaroi se kishte ardhur në Prokurori për të bërë disa emërime.
“Në bazë të deklaratave të fundit që deputeti Adem Grabovci ka adresuar mediave ku potencon se ka ardhur në prokurori ‘për të bërë disa emërime’ hapen dyshime të reja. Ne duam të dimë nga prokurorja Drita Hajdari, prokurori Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani se për çka e kishte fjalën Grabovci”, ka thënë protestuesja Saranda Sylejmani.
“Më konkretisht, dëshirojmë që Prokuroria e Shtetit të hapë hetime për atë deklaratë dhe t’i marrë në pyetje Grabovcin dhe prokurorët që mund të jenë dëshmitarë të ndonjë emërimi”.
“Ne duam përgjigje. Skandalet Pronto 2 vërtetojnë se deputeti Grabovci, tash e një kohë të gjatë ka emëruar persona të afërt me të në pozita kyçe shtetërore, andaj nuk përjashtohet mundësia që sërish diçka e tillë të ketë ndodhur, kur thuhet nga vet ai”, ka theksuar ajo.
“Deklaratat e deputetëve i marrim shumë seriozisht. Grabovci nuk është një njeri serioz. Ai pra, nuk duhet të jetë deputet, por i dyshuar në çdo moment”, ka thënë Sylejmani.