Punëtorët e Telekomit kanë protestuar para objekteve kryesore të Telekomit në të gjitha qendrat e Kosovës, raporton Ekonomia Online. Protestë ata kanë mbajtur edhe te zyrat qendrore të Prishtinë.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lahi Balaj, ka thënë se protesta mbahet për shkak të bllokimit të xhirollogarive, me ç’rast janë tërhequr të gjitha mjetet financiare nga ish-kompania “Dardafon”.
Sipas tij, rreth 3 300 punëtorë janë pa paga
“Nuk do të ndodhë më që dikush me zhvatë buxhetin e shtetit. Të gjithë e dinë se kush është fajtor për vjedhjet në Telekom. E din edhe Aleksandër Lumezi, mirëqenia e punëtorëve është më e rëndësishmja”.
“Rreth 3 300 punëtorë janë pa paga, e sot jemi në një gjendje kaotike që mafia e përkrahur nga politika e ka vjedh Telekomin. Qëllimi i klanit mafioz është që ta çojë Telekomin buzë falimentimit. Kontrata me Z-Mobile ka qenë kriminale, përse nuk e hetojnë dhe përse e kanë lanë në këtë gjendje këtë ndërmarrje ata e dinë”.
Përderisa punonjësit, Menaxhmenti dhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, përmes një letre publike i janë drejtuar organeve të larta shtetërore dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, lidhur me pasqyrimin e gjendjes tejet kritike dhe emergjente të krijuar pas bllokimit dhe tërheqjes së mjeteve nga llogaritë bankare.
“Dëshirojmë që të informojmë me saktësi të gjithë akterët dhe drejtuesit shtetërorë mbi situatën reale që po zhvillohet nëTelekomin e Kosovës, përkitazi me momentin e ndjeshëm të kërcënimit dhe rrezikimit potencial të vijimësisë së ofrimit të pandërprerë të shërbimeve të komunikimeve elektronike për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës si dhe subjektet e tjera që përdorin shërbimet telekomunikuese, situatë e cila është krijuar pas bllokimit të llogarive bankare”, thuhet në letrën e Telekomit.
“Vazhdimi i kësaj gjendje të rënduar në Telekomin e Kosovësduke i shtuar edhe situatën e pandemisë së Covid-19, në çdo moment sipas tyre mund të shkaktojë rrethanën e padëshiruar të një dëmi të pariparueshëm për organet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë institucionet e sigurisë së lartë nacionale, të atyre emergjente, shëndetësore si dhe të një varg institucione dhe subjekte tjera, ngase kjo situatë mund të rezultojë me ndërprerjen e funksioneve të Telekomit të Kosovës për shkak të pamundësisë për të operuar dhe funksionuar në kushtet e tanishme të bllokimit të llogarive bankare”.
“Andaj, ftojmë institucionet përgjegjëse shtetërore, që sa më parë, të punojnë në ofrimin e zgjidhjes së kësaj situate të ndjeshme dhe në përkrahje dhe shpëtimin e ndërmarrjes shtetërore me interes vital, strategjik, ekonomik e social”, thuhet në fund të letrës.