Protestuesit në veri kundër ambasadorit: Rohde kjo nuk është Gjermani, kjo është Serbi

Prishtinë | 22 Dhj 2022 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Nga ora 12:00 sot filloi protesta e serbëve në veri të Mitrovicës.

Ndër pankartat që mbajtën në duar ishte edhe një kundër ambasadorit gjerman, Jorn Rohde.

 “Rohde, kjo nuk është Gjermania juaj, kjo është Serbi”, thuhej në të.

Po ashtu, përveç një flamuri të gjatë serb që u shpalos në protestë pati edhe pankarta të tjera të tilla: “Me besim në Zot për Krishtlindje”, “President Vuçiq, ne kemi besim te ti”, “Sepse nuk ka kthim nga këtu”, “Drejtësi për Dejanin, Miljanin dhe Slladanin”, ndërsa pankarta e një madhësie më të madhe ishte kundër kryeministrit Kurti.

“Kurti, Kosova nuk është territori juaj, kjo është trashëgimia jonë!”.

Ambasadori gjerman kishte bërë një deklaratë që s’iu pëlqeu aspak qeveritarëve në Serbi.

“Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur. Na duhet dialog dhe jo konfrontime. Qeveria ime qëndron sigurisht me Qeverinë e Kosovës për ta depërshkallëzuar situatën. Ata që janë përgjegjës për barrikadat duhet ta mendojnë mirë që po e bëjnë popullatën e tyre të vuajë”, tha Rohde.

Kësaj deklarate i reagoi edhe presidenti serb Vuçiq.

“Z. Rohde është i njohur për deklaratat e tij anti-serbe”, ka thënë Vuçiq.

Ai shkoi edhe më tej sa akuzoi Gjermaninë që po dëshiron të dominojë në Ballkan.

“Përfaqësuesit gjermanë mendojnë se mund të vendosin se çfarë fasule të hahet në Mitrovicë e çfarë në Zubin Potok”, ka thënë Vuçiq, duke u ankuar që Rohde nuk po flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Të ngjashme